Orban: Serbia duhet të hyjë sa më shpejt në Bashkimin Europian

  • A.P /
  • 11 February 2024 - 17:27
Orban: Serbia duhet të hyjë sa më shpejt në Bashkimin Europian

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban tha se Serbia duhet të hyjë sa më shpejt në Bashkimin Europian, përndryshe Beogradi do të zgjedhë bashkëpunimin me partnerët e tjerë dhe Brukseli do ta humbasë këtë vend, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

“Ne duhet ta kryejmë detyrën e vjetër të zgjerimit përpara se të fillojmë një zgjerim të ri me Ukrainën. Nëse nuk e integrojmë Serbinë sa më shpejt që të jetë e mundur, do ta humbasim atë. Serbia ka mundësi të tjera. Sapo ka përfunduar një marrëveshje të tregtisë së lirë me Kinën“, tha Orban për gazetën austriake, Die Presse.

Kryeministri hungarez e quajti gjithashtu zgjerimin e BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor një “prioritet kryesor” për Budapestin gjatë presidencës së Këshillit të Bashkimit Europian, i cili fillon më 1 korrik.

Ministri i Tregtisë së Brendshme dhe të Jashtme të Serbisë, Tomislav Momiroviq dhe Ministri i Tregtisë së Republikës Popullore të Kinës, Wang Wentao, nënshkruan më 17 tetor 2023 në Pekin një marrëveshje për tregtinë e lirë ndërmjet dy vendeve. Sipas presidentit serb Aleksandar Vuçiq, ajo mund të hyjë në fuqi në maj ose qershor të këtij viti.

(Kosova Sot Online)