Stoltenberg: NATO e gatshme për t’i mbrojtur të gjithë aleatët e saj

  • A.P /
  • 11 February 2024 - 17:40
Stoltenberg: NATO e gatshme  për t’i mbrojtur të gjithë aleatët e saj

Jens Stoltenberg thotë se NATO është “e gatshme dhe e aftë për t’i mbrojtur të gjithë aleatët”, pasi Trump ftoi Rusinë t’i sulmojë vendet anëtare, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se çdo sulm ndaj aleancës ushtarake perëndimore do të përballej me një “përgjigje të bashkuar dhe të fuqishme”, pasi Donald Trump ftoi Rusinë t’ë’i sulmonte vendet anëtare që ai i perceptonte se nuk përmbushnin detyrimet e tyre financiare.

Stoltenberg tha në një deklaratë: “Çdo sugjerim që aleatët nuk do ta mbrojnë njëri-tjetrin minon të gjithë sigurinë tonë, përfshirë atë të SHBA-së, dhe i vë ushtarët amerikanë dhe europianë në rrezik të shtuar. Unë pres që pavarësisht se kush do të fitojë zgjedhjet presidenciale, SHBA-ja do të mbetet një aleat i fortë dhe i përkushtuar i NATO-s”.

Ai tha se NATO mbetet “e gatshme dhe e aftë për t’i mbrojtur të gjithë aleatët”, raporton The Guardian.

Donald Trump këto deklarata i tha në një tubim të fushatës në Conway në Karolinën e Jugut të shtunën. Ai tha se do ta inkurajonte Rusinë ta sulmonte cilindo nga aleatët e NATO-s e të SHBA-së që ai mendonte se nuk po paguanin pjesën e tyre për shpenzimet ushtarake.

Shtëpia e Bardhë i cilësiu komentet e Trump “të tmerrshme”.

Ish-presidenti ka shprehur dyshime për ndihmën për Ukrainën, ndërsa ajo mbron veten nga pushtimi i nisur nga Rusia në shkurt të vitit 2022 – si dhe për ekzistencën e NATO-s, aleancës prej 31 vendesh, të cilën SHBA-ja është zotuar ta mbrojë kur është e nevojshme.

Të shtunën, Trump pohoi se gjatë një takimi të papërcaktuar të NATO-s ai i tha një kreu të shtetit se SHBA nën udhëheqjen e tij nuk do ta mbronte asnjë vend “delikuent”.

“Një nga presidentët e një vendi të madh u ngrit dhe tha: “Epo, zotëri, nëse nuk paguajmë dhe sulmohemi nga Rusia, a do të na mbroni? Jo, nuk do të të mbroj. Në fakt, unë do t’i inkurajoja ata të bëjnë çfarë të duan. Duhet të paguash. Ju duhet të paguani”, tha Trump.


(Kosova Sot Online)