Tusk: Europa duhet të bëhet një kontinent i sigurt

  • A.P /
  • 12 February 2024 - 17:00
Tusk: Europa duhet të bëhet një kontinent i sigurt

Nuk ka alternativë ndaj partneritetit mes Europës, NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara për t’u përballur me rreziqet në rritje ndaj sigurisë, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Këtë u kujdes ta theksonte kryeministri i Polonisë fqinje me Ukrainën, ndërsa në Europë po shtohen shqetësimet për një tërheqje të mundshme të aleatit kryesor, SHBA, nga angazhimi për mbrojtje kolektive.

Donald Tusk e bëri një deklaratë të tillë në Paris, ndërsa më vonë pritet të vizitojë edhe Berlinin. Përmes këtij mini turi, lideri polak synon të forcojë lidhjet me dy fuqitë kryesore të Europës, ndërsa lufta në Ukrainë hyn në viti e tretë dhe në SHBA po bëhet gjithmonë e më reale mundësia për rikthimin e Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë.

“Dua ta theksoj qartë këtu në Paris se nuk ka alternativë për BE, nuk ka alternativë për bashkëpunimin transatlantik dhe nuk ka alternativë ndaj NATO. Europa duhet të bëhet një kontinent i sigurt, çka nënkupton se BE, Franca dhe Polonia duhet të fuqizohen në mënyrë që të mbrojnë territorin dhe kufijtë e vet dhe të mbrojnë aleatët e miqtë jashtë bllokut”, tha Tusk.

Zhvillimet përtej Atlantikut po shqetësojnë edhe vendet baltike, që gjithashtu ndihen të kërcënuara nga Rusia. Kryeministrja estoneze, Kaja Kallas, theksoi se komentet e fundit të bëra nga ish-presidenti Trump duhet të jenë një zile zgjimi, për shtetet e NATO-s që nuk kanë investuar shumë në mbrojtje. Gjithashtu presidentja e Parlamentit Europian, Robetta Metsola tha gjatë një konference të përbashkët, se Bashkimi Europian duhet të shpenzojë më shumë në mbrojtje.

“Shtetet anëtare të BE duhet të përcjellin një mesazh të fortë dhe të artë se pavarësisht atij që do të drejtojë SHBA, janë të fuqishëm mjaftueshëm për të mbrojtur njëri-tjetrin”, tha Roberta Metsola. 

(Kosova Sot Online)