Aktakuzë ndaj kosovarit që dyshohet se vrau shokun e tij

  • A.P /
  • 12 February 2024 - 20:15
Aktakuzë ndaj kosovarit që dyshohet se vrau shokun e tij

Prokuroria Themelore në Gjakovë ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit Isuf Zogajt, i cili dyshohet për vrasjen e 42-vjeçarit, Avni Basha, në Malishevë, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Përmes një komunikate për media, Gjykata njofton se Zogaj dyshohet se ka kryer veprat penale, “Vrasja” dhe ” Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

“Sipas aktakuzës ndër tjera cekët se i pandehuri I.Z., me dt.20.09.2023 në fshatin Bellanicë, Komuna e Malishevës, me dashje ka privuar nga jeta, tani të ndjerin A.B.,  në atë mënyrë që ditën kritike i pandehuri derisa ka qenë në lokal, vëren të ndjerin se kishte arritur në parking, i pandehuri afrohet tek automjeti i të ndjerit dhe me armën e tipit revolen SIG SAUER –P320, shtënë pesë here në kokën e tani të ndjerit, viktima bie përtokë, i pandehuri vazhdon duke shtënë edhe dy herë prapë në drejtim të tij përderisa trupi ishte i shtrirë për tokë, e ku nga plagët e marra i ndjeri ndërron jetë në vendin e ngjarjes, derisa i pandehuri largohet me veturë e tij nga vendi i ngjarjes dhe lajmërohet në polici.

Po ashtu sipas aktakuzës ndër tjera cekët se i pandehuri I.Z., gjerë me dt.20.09.2023, në fshatin Bellanicë – Komuna e Malishevës, ka mbajtur në pronësi, kontroll dhe posedim të paautorizuar të armës SIG SAUER – P320, fishek të kalibrit 9×19 mm, në dy pako, një karikator me 7 fishekë të kalibrit 9×19 mm, me cilën armë ka kryer veprën e përshkruar më lartë, me ç’rast e njëjta armë dhe municioni janë sekuestruar nga ana e zyrtarëve policor”, thuhet në njoftim.

(Kosova Sot Online)