Jasharaj: Diku 300 punëtorë të arsimit kanë kërkuar pushim pa pagesë

  • A.P /
  • 13 February 2024 - 13:49
Jasharaj: Diku 300 punëtorë të arsimit kanë kërkuar pushim pa pagesë

Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj ka deklaruar se kemi hyrë në një “greva të heshtur” në Kosovë, e kjo është më e keqe se greva publike, pasi nënkupton një gjendje ku punëtorët e arsimit janë të pakënaqur dhe të pamotivuar, por nuk shprehin hapur shqetësimet e tyre, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Jasharaj ka përmendur se kjo “gjendje e pakënaqësisë” është rritur pas ndryshimeve në ligjin e pagave, veçanërisht në sektorin e Arsimit.

“…Efektet e para të kësaj që e kam quajtur grevë e heshtur është pakti që edhe në Policinë e Kosovës edhe në Shëndetësi, tash edhe në arsim është paraqitur si moment kur njerëzit po largohen nga profesioni i  tyre, të cilët janë shkolluar dhe janë të zhgënjyer. E zhgënjimi nuk është vetëm nga një element, por edhe për shkak të ligjit të pagave”, ka deklaruar Jasharaj.

Ai ka thënë se pavarësisht premtimit të Qeverisë për përmirësime, ndryshimi i koeficientit ka sjellë një rritje të vogël në pagat e arsimtarëve, duke e bërë situatën edhe më të vështirë.

“Ngase ne kishim pakënaqësi të theksuar për ligjin e pagave por kishim shpresa që qeveria Kurti kur bën lëvizjen në koeficient lëvizja do të jetë më e dukshme, por ndodhi ajo që e kanë publikuar dhe lëvizja e koeficientit është nga 105 në 110 që në sektorin e Arsimit solli një rritje ironike prej 28 euro dhe kjo i ka shtuar edhe më shumë ato pakënaqësitë që ishin të arsyeshme me vet ligjin e pagave”, ka thënë ai.

Për largimin e punëtorëve të arsimit nga vendi, kryetari i SBAShK-ut, ka thënë se rreth 300 prej tyre kanë kërkuar pushim pa pagesë.

“Nga analizat që i kemi bërë, kemi informacionet tani, që nuk mund të jenë krejt zyrtare pasi këto i kanë drejtoritë arsimore por kishim një numër tejet alarmant, diku 300 punëtorë të arsimit kanë kërkuar pushim pa pagesë”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se ministria e Arsimit ka ndërmarrë masa për të penguar këto kërkesa, por kjo sipas tij, nuk zgjedh problemet themelore të pakënaqësisë në sektorin e arsimit.

“Kemi informacione jozyrtare se Ministria e Arsimit do ta nxjerrë një udhëzim administrativ për ta pamundësuar kërkesën e punëtorëve të arsimit pa pagesë, mirëpo me urdhra e me udhëzime administrative çështjet nuk ndryshojnë”, ka deklaruar Jasharaj.

Kryetari i SBAShK ka theksuar se pakënaqësia e tyre nuk është vetëm për shkak të aspekteve ligjore, por edhe për mungesën e motivimit dhe vlerësimit në profesionin e tyre.


(Kosova Sot Online)