Albin Kurti në ceremoninë komemorative në nderim të jetës së profesorit Landsman

  • A.P /
  • 13 February 2024 - 17:42
Albin Kurti në ceremoninë komemorative në nderim të jetës së profesorit Landsman

Kryeministri Albin Kurti mori pjesë sot në ceremoninë komemorative në nderim të jetës së profesor Moshe Landsman, bashkëthemelues i Departamentit të Psikologjisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Kurti tha se Landsman profesionin e tij ai e shndërroi në aktivizim.

”Në Kosovë ne e njohim si një nga të parët që ateroi në një grup humanitar pas luftës në Kosovë, dhe i ndihmonte viktimat e luftës. Pra, i pyeste se në një situatë kush është viktima. Dhe merrej së pari me viktimën. Dhe nëpërmjet viktimës e kuptonte atë situatë dhe përpiqej që me të tjerët ta ndryshonte”, tha Kurti.

Fjala e plotë e Kurtit në ceremoninë komemorative:

Të nderuar profesorë të departamentit të Psikologjisë,

Të dashur studentë,

Të nderuar të pranishëm,

Moshe Landsman, ishte psikolog, profesor, mësimdhënës, këshillëdhënës, mentor, aktivist dhe punëtor i ndryshimeve pozitive e progresiste, me në qendër njeriun dhe të drejtën.

Profesionin e tij, ai e shndërroi në aktivizëm sepse atë çfarë e lexonte, atë çfarë e dinte, e ndante me të tjerët dhe përpiqej të përdorej dhe të mirëpërdorej që shoqëria, bota të bëhet edhe më shumë, edhe më e mirë se sa që është. Dhe krejt kjo jo duke punuar me shoqërinë e me botën në mënyrë abstrakte e të përgjithshme, por individualisht me të gjithë ata që i takonte dhe me të gjithë ata të cilët shkëmbehej.

Në Kosovë ne e njohim si një nga të parët që ateroi në një grup humanitar pas luftës në Kosovë, dhe i ndihmonte viktimat e luftës.  Pra, i pyeste se në një situatë kush është viktima. Dhe merrej së pari me viktimën. Dhe nëpërmjet viktimës e kuptonte atë situatë dhe përpiqej që me të tjerët ta ndryshonte.

Së bashku me profesorin Neki Juniku, akademikun Pajazit Nushi, profesorin Willy Butollo dhe psikologët tanë ishte bashkëthemelues i Departamentit të Psikologjisë në Universitet të Prishtinës.

E si psikolog i komunitetit drejtësia shoqërore, çlirimi dhe fuqizimi, ishin në qendër të preokupimeve dhe të angazhimit të tij në Qendrën për Rehabilitimin e viktimave të torturës, me Shoqatën Kombëtare të Autizmit e me shumë organizata të tjera të shoqërisë civile në Kosovë, por edhe në vendet tjera.

Padyshim, Moshe kontribuoi shumë, e kontributi i tij do të vazhdojë me studentët e bashkëpunëtorët të cilët në figurën e tij, e gjejnë edhe inspirimin, e gjejnë frymëzimin për punën dhe kontributin e mëtutjeshëm.

Prej takimeve që kam pasur unë me të, vazhdimisht kemi diskutuar edhe për çështjet e njerëzve që kanë kaluar nëpër burgje në Kosovë, ata të cilët domethënë kanë dalur nga burgu por e kanë bartur atë me vete dhe në anën tjetër për leximet që i bëja unë. Natyrisht në diskutimet për leximet e mia, ishte shumë e qartë që unë isha më shumë entuziast se i talentuar dhe më bëri shumë përshtypje se, ta zëmë, kishte një dije të fortë për psikoanalizen dinamike, që më preokuponte mua, por në të njëjtën kohë ishte komunitar, siç më hynte mua në punë.

Domethënë jo një frojdizëm le të themi trinia, egoja, uni e idi në njëfarë lloj le të themi ego psikologjie kështu “Me, Myself and I”, unë isha më shumë i interesuar se si kjo ndahet me të tjerët, intersubjektiviteti e kështu me radhë, edhe më bënte shumë përshtypje se si në të njëjtën kohë mundohej të më ndihmonte por jo pa kritikë, domethënë jo pa dikush i cili nuk të ndihmon njëkohësisht që ta vësh veten në pikëpyetje. Pra, ti përparo, mirëpo përparo në njërën mënyrë në të cilën je më i sigurt për qëllimet sesa veten. Pra, më shumë e do atë që dëshiron ta arrish se sa veten tënde si subjekt i cili e synon atë qëllim.

Dhe përveç kësaj, ku më ka inspiruar mua shumë personalisht është te ideja e funksionit të psikologjisë në një aspekt le të themi çlirues. Sepse një prej diskutimeve me të ka qenë se si më të sigurt jemi për çlirimin se sa për lirinë.

Nevoja për t’u çliruar dhe projekti i çlirimit ka siguri më të madhe sesa një sentiment në liri.

E kjo më përputhej si me thënë sepse edhe unë besoja që edhe aspekti identitar, edhe ai i angazhimit social e politik, e marrin kuptimin më të sigurt atëherë kur janë përbrenda një projekti çlirimtar se sa thjesht gëzimit të lirisë si e tillë, sepse mandej gjithmonë vihej në spikamë a jemi të sigurt që jemi të lirë, dhe nëse jemi të lirë në çfarë mase jemi.

Kurse projekti i çlirimit i cili në fakt ishte pjesë edhe e formimit tim personal për shkak të viteve të ’90-ta, po edhe ’80-ta, më bëhej një aspekt shumë i rëndësishëm për atë çfarë dëshiroja të bëja. Dhe krejt në fund mua nuk më ka ndodhur asnjëherë të takoj dikë tjetër me një shikim shpues, depërtues dhe dashamirës.

Sepse ata të cilët të shikojnë në mënyrë ashtu depërtuese e ke përshtypjen automatikisht që nuk ta duan bash të mirën, pra të shikon pak si polici hetues, si prokurori a sikur doktori ose arsimtari a kështu me radhë.

Por ai shikimi depërtues seç ka një lloj spontaniteti negativ, po ai gjithmonë e ka pas atë shikimin depërtues, shpues me mua, por s’jam ndjerë kurrë keq se ka qenë shumë dashamirës. Andaj veç më lejoni që t’ju bashkëngjitem ngushëllimeve për të dhe admirimin tonë për të.


(Kosova Sot Online)