Biden i kërkon Vuçiqit normalizim të shpejtë të marrëdhënieve me Kosovën: Bëni kompromise

  • E.K /
  • 14 February 2024 - 10:47
Biden i kërkon Vuçiqit normalizim të shpejtë të marrëdhënieve me Kosovën: Bëni kompromise

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden i ka shkruar një mesazh urimi presidentit serb, Aleksandar Vuçiq me rastin e përvjetorit të pavarësisë së Serbisë, në të cilin ka kërkuar normalizim të shpejtë të marrëdhënieve me Kosovën.

Biden fillimisht e ka përgëzuar Vuçiqin për rizgjedhjen e tij në krye të shtetit.

“Pres me padurim faktin që gjatë mandatit tuaj të dytë, do të kemi mundësinë të thellojmë bashkëpunimin tonë të ngushtë për përmirësimin e integrimit evropian të Serbisë, zgjerimin e lidhjeve tona dypalëshe të sigurisë dhe ekonomike dhe përmirësimin e stabilitetit dhe prosperitetit rajonal”, thuhet në mesazh, sipas asaj që është publikuar në web-faqen e Presidencës së Serbisë.

“Këto janë momente vendimtare për Europën. Kam vërejtur se Serbia, nën udhëheqjen tuaj, i është bashkuar një grupi prej 140 shtetesh demokratike nga e gjithë bota në Kombet e Bashkuara për ta dënuar luftën e Putinit në Ukrainë. Është e rëndësishme që ne të mbetemi të bashkuar në dërgimin e mesazheve të forta mbështetjeje për Ukrainën dhe dënimin e luftës brutale që Rusia ka zgjedhur”, thuhet tutje në mesazh.

Biden e ka falënderuar Vuçiqin për “bashkëpunimin dhe për pritjen e ngrohtë që i bëtë ambasadorit të ri të SHBA-së në Serbi, Christopher Hill, i cili është një nga diplomatët tanë më me përvojë”.

“Ambasadori Hill dhe ekipi në ambasadën tonë janë të gatshëm të mbështesin përpjekjet tuaja për të vazhduar forcimin e sundimit të ligjit dhe luftimin e korrupsionit, diversifikimin e burimeve të energjisë së Serbisë dhe përmbushjen e synimeve klimatike, si dhe përpjekjet tuaja për të thelluar bashkëpunimin ekonomik rajonal në një mënyrë që promovon integrimin në Bashkimin Europian për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor”, thuhet në mesazhin e urimit.

Biden e ka inkurajuar Serbinë që të ecë përpara dhe ia ka përmendur nevojën e kompromiseve me Kosovën.

“Me zgjedhjet pas jush, inkurajoj Serbinë të bëjë hapa përpara në promovimin e paqes dhe stabilitetit në të gjithë rajonin dhe të ndërmarrë hapa proaktivë, duke përfshirë kompromise kur të jenë të nevojshme, me synim që të normalizohen shpejt marrëdhëniet me Kosovën përmes dialogut nën kujdesin e Bashkimit Evropian. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë ngushtë me ju, Prishtinën dhe partnerët tanë të Bashkimit Europian për të arritur këtë qëllim të rëndësishëm”, thuhet ndër tjerash në letrën e Biden.

Presidenti amerikan u shpreh i bindur se mund të përmirësohen raportet mes SHBA-së dhe Serbisë, si dhe interesat e përbashkëta të të dy vendeve.

“Qytetarët tanë varen nga udhëheqja jonë; ne kemi mundësinë dhe detyrimin për ta ndërtuar një të ardhme paqësore të rrënjosur në liri dhe prosperitet më të madh për të gjithë”, thuhet në mesazhin e Biden.

(Kosova Sot Online)