Profesori i njohur: Amerikanët nuk duan që Kurti të bëjë gjëra që nxisin bela në rajon

  • A.P /
  • 14 February 2024 - 13:52
Profesori i njohur: Amerikanët nuk duan që Kurti të bëjë gjëra që nxisin bela në rajon

David Kanin, profesor i Studimeve Evropiane në Universitetin Johns Hopkins në SHBA, thotë se veprimet e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, po “e ndihmojnë Serbinë” dhe “po bëjnë që të gjithë të harrojnë për Banjskën”, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Kanin i referohet vendimit që e ndalon përdorimin e dinarit serb në Kosovë, si dhe atij për vendosjen e kryetarëve shqiptarë në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.

“Amerikanët nuk duan që Kurti të bëjë gjëra që nxisin bela në një rajon, që Perëndimi e do vërtet të qetë, derisa merret me gjithçka tjetër që po ndodh në botë”, thotë Kanin në një intervistë.

Një ditë më herët, ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, James O’Brien, tha se Qeveria e Kosovës po rrezikon partneritetin me Shtetet e Bashkuara me vendimin e saj për të mos lejuar përdorimin e dinarit serb.

Kanin thotë se kjo “do të thoshte shumë, pasi SHBA-ja është mbrojtëse e Kosovës”.

Ai nuk e përjashton mundësinë e sanksioneve, por thekson se SHBA-ja “nuk do të shkojë aq larg dhe, thjesht, ta ndërpresë marrëdhënien me Kosovën”, sipas rel.

Kanin thotë se Kosova do të duhej ta shtynte sa më shumë që është e mundur zbatimin e vendimit për dinarin, ose ta revokonte tërësisht.

(Kosova Sot Online)