Hoti: Me Qeverinë Kurti Kosova ka shënuar regres në të gjitha fushat

  • A.P /
  • 14 February 2024 - 18:54
Hoti: Me Qeverinë Kurti Kosova ka shënuar regres në të gjitha fushat

Deputeti Avdullah Hoti, ka deklaruar se beson se sivjet do të ketë zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare, duke shtuar se vendit i duhet një qeveri “që do t’ia heqë sanksionet”, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Ai ka thënë se me Qeverinë Kurti, Kosova ka shënuar regres në të gjitha fushat.

“Vendit i duhet një qeveri tjetër që ia heq sanksionet…Besoj se do të kemi zgjedhje të jashtëzakonshme sepse s’ka si të vazhdojmë me këtë qasje. Janë 300 milionë euro projekte të bllokuara, e edhe qasjen kritike të SHBA-së ndaj Kosovës…Procesi i dialogut është reduktuar në procesin e Asociacionit, e çështja e të pagjeturve është harruar”, ka thënë Hoti në ktv..

Sipas nënkryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, qytetarët s’do t’ia japin më besimin Lëvizjes Vetëvendosje për të qeverisur, duke theksuar se “besimi do t’i kthehet LDK-së për një qeveri euroatlantike”.

Hoti ka theksuar se kryeministri Albin Kurti ka gabuar që nga dita e parë në procesin e dialogut me Serbinë, pasi siç ka thënë ai, moskoordinimi me aleatët “ka sjellë situata të konfrontimit të panevojshëm me aleatët”.

“Në tërë mandatin kemi parë situata të konfrontimit të panevojshëm mes Kosovës dhe aleatëve, e në veçanti me SHBA-në, për vendimet që janë në të drejtën e Kosovës, por që krijojnë situata të caktuara që mund t’i cenojnë marrëdhëniet me aleatët. Kërkesa ka qenë që këto veprime të drejta të koordinohen që të arrihet efekti i dëshirueshëm për aleatët. Veprimi i fundit (për dinarin serb v.j.) i ka cenuar rëndë marrëdhëniet”, ka thënë ai.

Ish-kryeministri Hoti ka potencuar tutje se Qeveria Kurti po ia nënshtron veprimet agjendës së tyre elektorale, duke shtuar se “situatat e rënduara me aleatët në të kaluarën, janë menaxhuar më mirë”.

Sipas Hotit, presidentja Vjosa Osmani është për të mbrojtur rendin kushtetues, por siç ka theksuar ai, Osmani po sillet si përfaqësuese e organizatave joqeveritare”.

“…Asnjë shqetësim s’e ka ngrehur Osmani, vetëm po e mashtron opinionin si noterizuese vendimeve të Qeverisë. Ajo nuk jep komente, por jep vlerësimin e saj se si ky Draft-statut të shkojë përpara”, ka shtuar nënkryetari i partisë opozitare..

(Kosova Sot Online)