Hovenier: Të gjitha vendet që mbështesin Kosovën janë të shqetësuara, e pamençur mospërgjigjja e Qeverisë

  • E.K /
  • 15 February 2024 - 15:48
Hovenier: Të gjitha vendet që mbështesin Kosovën janë të shqetësuara, e pamençur mospërgjigjja e Qeverisë

Ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, në deklarimin e sotëm për media u pyet edhe për atë se si do të ndikojë çështja e dinarit rrugën integruese të Kosovës. Ai tha se shqetësimi për veprimet e Qeverisë së Kosovës nuk është vetëm i SHBA-së, por edhe i të gjitha vendeve në të cilat mbështetet Kosova.

“Është e vështirë për mua të përgjigjem sesa të them se kjo nuk është vetëm një kërkesë e SHBA-së. Të gjitha vendet në të cilat mbështetet Kosova për të avancuar rrugën e saj drejt BE-së, NATO-s, Këshillit të Europës, te institucionet e tjera, kanë shprehur shqetësime reale dhe të qarta. Po duket e pamençur për Qeverinë që thjesht të mos iu përgjigjet këtyre shqetësimeve dhe më duhet ta them se këto janë përshtypjet tona çka po ndodh tani”, tha Hovenier.

Ndihmëssekretari amerikani Shtetit, James O’Brien,  të cilin e citoi shpesh sot Hovenier, tha një ditë më herët se nëse SHBA s’trajtohet si partnere atëherë as ajo s’do ta trajtojë Qeverinë e Kosovës si partnere.

(Kosova Sot Online)