Haxhi Shalës i vazhdohet paraburgimi në Hagë

  • A.P /
  • 15 February 2024 - 20:41
Haxhi Shalës i vazhdohet paraburgimi në Hagë

Michael Doyle, zëdhënës i Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, përmes informimit javor të DhSK-së tregoi për zhvillimet në çështjet të cilat po i trajton kjo gjykatë, duke njoftuar se iu është vazhduar paraburgimi Haxhi Shalës, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Sipas Doyle, gjykatësi i procedurës paraprake ka urdhëruar vazhdimin e paraburgimit për Shalën duke konstatuar se ekziston rreziku i arratisjes si dhe ai mund të pengojë ecurinë e procesit në DhSK.

Më 9 shkurt, Gjykatësi i Procedurës Paraprake urdhëroi vazhdimin e paraburgimit të Haxhi Shalës, duke konstatuar se ekziston rrezik i moderuar i arratisjes dhe arsye të artikulueshme për të besuar se z. Shala mund të pengojë ecurinë e procesit të Dhomave të Specializuara, ose të kryejë vepra penale të tjera”, tha Doyle.

Në po të njëjtën çështje gjyqësore, Doyle tha se me 8 shkurt është miratuar kërkesa e ZPS-së për të bashkuar çështjen gjyqësore ndaj Sabit Januzit, Ismet Bahtjarit dhe Haxhi Shalës.

“Më 8 shkurt 2024, Gjykatësi i Procedurës Paraprake miratoi kërkesën e Prokurorisë për të bashkuar çështjen gjyqësore kundër Sabit Januzit dhe Ismet Bahtijarit me çështjen kundër Haxhi Shalës. Gjykatësi konstatoi se bashkimi i dy çështjeve gjyqësore do t’i shërbejë administrimit të duhur të drejtësisë”, tha Doyle.

(Kosova Sot Online)