Abdixhiku: Me ardhjen e Kurtit kanë ardhur politikanë mediokër në pushtet

  • A.P /
  • 15 February 2024 - 21:25
Abdixhiku: Me ardhjen e Kurtit kanë ardhur politikanë mediokër në pushtet

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se kjo qeveri ka sjellur politikanë mediokër në pushtet, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

“Ka një fenomen Kurti në këtë vendim. Me ardhjen e Kurtit kanë ardhur politikanë mediokër. Njërin e kemi në krye të Qeverisë e tjetrën në krye të Ministrisë së Jashtme”, ka thënë Abdixhiku.

Kreu i LDK-së ka folur për prishjen e marrëdhënieve të Kosovës me aleatët, e sidomos me Amerikën.

“Kjo qeveri po bënë hapa prapa. Dinari nuk ka vend në Kosovë, por Kosova po menaxhon me politikë vet-izoluese. E ka vendosur pozicionin me SHBA në pozitë bukur të rëndë. Nuk humb sovranitet nëse komunikon me aleatët. Ka rrugë tjetër ku hiqet dinari dhe mbahet aleanca me aleatët. Si do ta mundim Serbinë pa aleatët?”, ka thënë Abdixhiku.

Ai po ashtu ka thënë se “për herë të parë në histori, Kosova mori kritika nga vendet anëtare të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”.

“Nuk mundem dhe s’dua ta bëj zëdhënësin e SHBA-së, sepse s’ka nevojë kjo deklaratë për zëdhënës. Por në rajon kanë ndodhur dy gjëra sot që ne si popull i Kosovës duhet t’i marrim si shqetësim. E para ka të bëjë me vizitën e sekretarit të shtetit në Tiranë, kishte mesazhe inkurajuese, fliste për këngëtarët tona me famë botërore, por kjo të gëzon dhe në anën tjetër të mërzit sepse më herët një vizitë e tillë nuk ndodhte pa ardhur në Kosovë. Në anën tjetër patëm deklaratë të Amerikës”, ka thënë Abdixhiku.

(Kosova Sot Online)