Britania, NATO dhe BE-ja, thonë se Rusia është përgjegjëse për vdekjen e Navalnyt

  • E.K /
  • 16 February 2024 - 14:03
Britania, NATO dhe BE-ja, thonë se Rusia është përgjegjëse për vdekjen e Navalnyt

Pas vdekjes në burg të opozitarit rus, Alexei Navalnyt, ka reaguar Bashkimi Evropian, Britania e Madhe dhe zyrtar të aleancës më të fuqishme ushtarake në botë, NATO.

Presidenti i Këshillit të Evropës, Charles Michel, shefi i NATO-s, Jens Stoltenber si dhe kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Rishi Sunak kanë pohuar se Rusia është përgjegjëse për vdekjen e Navalnyt.

“Alexei Navalny luftoi për vlerat e lirisë dhe demokracisë. Për idealet e tij, ai bëri sakrificën e fundit. BE-ja e konsideron regjimin rus si përgjegjës të vetëm për këtë vdekje tragjike”, ka shkruar ai në platformën X.

Ndërkohë, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka thënë se Rusia duhet t’iu jep përgjigje disa pyetjeve në lidhje me vdekjen e Navalnyt.

“Ne duhet të vërtetojmë të gjitha faktet dhe Rusia duhet t’i përgjigjet të gjitha pyetjeve serioze në lidhje me rrethanat e vdekjes së tij”, tha Stoltenberg, shkruan skynews.

Kryeministri britanik, Rishi Sunak ka pohuar se ky është lajm i tmerrshëm për njerëzimin.

“Ky është një lajm i tmerrshëm”, thotë shefi i qeverisë britanike dhe shtoi se “si avokati më i ashpër i demokracisë ruse, Alexei Navalny tregoi guxim të jashtëzakonshëm gjatë gjithë jetës së tij. Mendimet e mia janë me gruan e tij dhe popullin e Rusisë, për të cilin kjo është një tragjedi e madhe”.

Theksojmë se autoritetet ruse thonë se tashmë kanë nisur hetimet e para rreth vdekjes së kritikut të madh të Vladimir Putinit.

Ndryshe, udhëheqësi i opozitës ruse, Aleksei Navalny, e ka fituar Çmimin Sakharov, një shpërblim prestigjioz që ndahet nga Parlamenti Evropian për mbrojtësit e të drejtave të njeriut.

(Kosova Sot Online)