BQK: Pas hyrjes në fuqi të rregullores janë tërhequr nga qarkullimi mbi 180 mijë monedha nga 500 euro

  • A.P /
  • 16 February 2024 - 15:22
BQK: Pas hyrjes në fuqi të rregullores janë tërhequr nga qarkullimi mbi 180 mijë monedha nga 500 euro

Pas hyrjes në fuqi të Rregullores së re  janë tërhequr nga qarkullimi mbi 180 mijë monedha nga 500 euro,  ka njoftuar  Banka Qendrore e Kosovës, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Nga 1 shkurti e deri më sot, sasia e monedhave 500 euroshe që janë hequr nga qarkullimi kap vlerën e 90 milionë eurove.

Rregullorja për Operacione me Para të Gatshme ka përcaktuar që të gjitha institucionet financiare bankare dhe jobankare janë të obliguara që të ndalojnë riqarkullimin e kartëmonedhës 500 euro te klientët e tyre

Njoftimi i plotë:

BQK: Kalon mbi 180 mijë copë numri i kartëmonedhave prej 500-euro të tërhequra nga qarkullimi dhe depozituara në BQK

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës njofton se si efekt i Rregullores për Operacione me Para të Gatshme, numri i kartëmonedhave prej 500 euro të deponuara nga qytetarët në bankat komerciale dhe me pas në BQK, si para të tërhequra nga qarkullimi, ka kaluar mbi 180,500 njësi, duke tejkaluar vlerën e 90 milionë e 250 mijë eurove.

Ky është ndër efektet e drejtpërdrejta të Rregullores që nga miratimi i saj, duke kontribuar në arritjen e qëllimit për një sistem financiar me integritet dhe që ndihmon në strategjinë kombëtare kundër informalitetit dhe dukurive të ndërlidhura.

Rregullorja për Operacione me Para të Gatshme përveç tjerash përcaktoi që të gjitha institucionet financiare bankare dhe jobankare janë të obliguara që të ndalojnë riqarkullimin e kartëmonedhës 500 euro te klientët e tyre.

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar për të avancuar kornizën ligjore dhe mbikëqyrëse në zbatim të mandatit të saj kushtetues dhe në pajtim me objektivat strategjike të saj, me transparencë dhe përkushtim ndaj publikut.

(Kosova Sot Online)