Steinmeier: Gjermania do të mbetet një partner i besueshëm dhe i fuqishëm i Kosovës

  • A.P /
  • 16 February 2024 - 18:45
Steinmeier: Gjermania do të mbetet një partner i besueshëm dhe i fuqishëm i Kosovës

Telegram urimi nga presidenti i Republikës Federale të Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier,  ka pranuar presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani me rastin e 16- vjetorit të Pavarësisë, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Ai ka thënë se Gjermania do të mbetet një partner i besueshëm dhe i fuqishëm i Kosovës edhe në të ardhmen, ndërsa ka theksuar se do ta mbështesë vendin tonë drejt një të ardhme paqësore, evropiane.

“Vendi juaj gjendet para detyrave të mëdha: Forcimi i sundimit të ligjit, sikurse edhe lufta kundër korrupcionit dhe krimit të organizuar mbeten thelbësore për ta forcuar më tej ekonominë dhe përshpejtuar përafrimin me Bashkimin Evropian. Progresi në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit është gjithashtu vendimtar për të ardhmen e Kosovës dhe mbarë Ballkanit Perëndimor. Unë i gëzohem sukseseve të arritura rishtaz, si marrëveshja për njohjen e tabelave të automjeteve dhe zgjidhja e mosmarrëveshjes së energjisë.

Gjermania do të mbetet një partner i besueshëm dhe i fuqishëm i Kosovës edhe në të ardhmen dhe do ta mbështes vendin Tuaj me aq sa mundet në hapat e tjerë drejt një të ardhme paqësore, evropiane”, thuhet në letrën e tij.

(Kosova Sot Online)