Biden: Presidenti i Rusisë është përgjegjës për vdekjen e Navalny

  • A.P /
  • 16 February 2024 - 19:35
Biden: Presidenti i Rusisë është përgjegjës për vdekjen e Navalny

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka thënë të premten se nuk ndihet i befasuar por i “zemëruar” pas vdekjes së raportuar të liderit opozitar rus, Alexei Navalny, duke thënë se presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, është përgjegjës për vdekjen e tij, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

“Ai e kundërshtoi trimërisht korrupsionin, dhunën dhe të gjitha gjërat e këqija që po i bënte Qeveria e Putinit”, tha Biden në Shtëpinë e Bardhë.

Shtëpia e Bardhë tha se është duke kërkuar më shumë të dhëna rreth vdekjes së Navalnyt në burgun rus.

Kjo ngjarje i ka tensionuar edhe më shumë marrëdhëniet tashmë të përkeqësuara mes SHBA-së dhe Rusisë.

Navalny, 47-vjeçar, ka qenë kritik i zëshëm i Putinit, dhe Biden kishte thënë pas një takimi me Putinin në Gjenevë në qershor 2021 se vdekja e Navalny do të kishte rrezikuar pasoja shkatërruese për Putinin.

Biden dhe Putin kanë mospajtime të thella për shkak të pushtimit të Ukrainës nga Rusia, që nisi para dy vjetëve, dhe Bideni tani po i bën thirrje republikanëve në Kongresin amerikan ta mbështesin dhënien e ndihmës shtesë financiare për armatimin e ushtrisë ukrainase në këtë luftë.

(Kosova Sot Online)