Osmani: Heqja e masave nga BE do të krijonte atmosferë më pozitive për vazhdimin e dialogut

  • A.P /
  • 21 February 2024 - 17:30
Osmani: Heqja e masave nga BE do të krijonte atmosferë më pozitive për vazhdimin e dialogut

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kërkuar që të hiqen masat ndëshkuese që vitin e kaluar Bashkimi Evropian vendosi ndaj Kosovës për shkak të mospërmbushjes së disa kërkesave që kishin të bënin me shtensionimin e situatës në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Gjatë një takimi me shefin e zyrës së BE-së, Tomas Szunyog, ambasadorin e Francës, Olivier Guerot, atë të Italisë, Antonello De Riu dhe zëvendësambasadorin e Gjermanisë, MathiasConrad, Osmani tha se masat janë “të padrejta” dhe po krijojnë “mungesë ekuilibri në dialog” me Serbinë, që ndërmjetësohet nga BE-ja.

Osmani shtoi se Kosova ka ndërmarrë hapa drejt përmbushjes së kërkesave të faktorit ndërkombëtar për këtë çështje.

“Heqja e masave do të krijonte atmosferë shumë më pozitive për vazhdimin e dialogut parimor ku të dyja palët do të trajtoheshin të barabarta”, tha Osmani, sipas një njoftimi për media.

(Kosova Sot Online)