Stano: Roli i BE-së është për të lehtësuar palët të arrijnë deri te zgjidhja

  • A.P /
  • 23 February 2024 - 14:14
Stano: Roli i BE-së është për të lehtësuar palët të arrijnë deri te zgjidhja

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, sot sërish ka folur për ftesat e dërguara për Kosovën dhe Serbinë rreth një takimi në Bruksel, të cilin e ka refuzuar kryenegociatori Besnik Bislimi, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Stano tha se nuk e komentojnë organizimin e takimeve përmes mediave dhe domenit publik, por shtoi se ftesat janë bërë dhe se shpresojnë që palët të pajtohen për zgjidhje,

“Ne i kemi dërguar ftesat te partnerët për t’u marrë me çështje të caktuara dhe u kemi shpjeguar në thellësi dhe tash shpresojmë që të dyja palët të jenë në gjendje të pajtohen dhe të zgjidhin çështjen që u shkaktua nga një vendim i pafat dhe i pakonsultuar nga njëra palë që ka ndikuar tek pala tjetër”.

Ai tha se roli i BE-së është për të lehtësuar palët të arrijnë deri te zgjidhja dhe se nuk do të komentojnë se çka janë duke bërë në këtë drejtim.

Stano u pyet edhe se çfarë pasoja mund të ketë një refuzim i ftesës për të marrë pjesë për zëvendëskryeministrin Bislimi, por refuzoi të përgjigjet.

“Ne asnjëherë nuk spekulojmë rreth skenarëve “çka nëse”. Ne kemi dërguar ftesat, kemi vënë objektivat dhe kemi bërë publike përgatitjen tonë për të ndihmuar palët që të gjejnë zgjidhje”.


(Kosova Sot Online)