Krasniqi paralajmëron suspendimin e kryetares së Graçanicës

  • A.P /
  • 23 February 2024 - 20:00
Krasniqi paralajmëron suspendimin e kryetares së Graçanicës

Me arsyetimin se nuk kanë qasje në rrugë, Komuna e Graçanicës nuk lëshoi asnjë leje ndërtimi që nga viti 2018 për banorët shqiptarë në këtë zonë. Ani pse vetë e kanë detyrim të shtrojnë rrugë, tash ata nuk po e pranojnë si dhuratë as këtë rrugë që banorët e shtruan me vetëfinancimin e tyre, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Përveç këtyre, ata u detyruan edhe të mbledhin paratë për ndriçimin e lagjes, për shkak të mos interesimit nga pushteti lokal.

Prandaj përmes peticionit, qindra banorë iu ankuan Avokatit të Popullit për shkeljen e të drejtave kushtetuese duke u thirrur në Ligjin për Mbrojtjen nga Diskriminimi.

Mirëpo kur kanë kaluar katër muaj që kur ky Institucion iu drejtua me një shkresë kryetares së Graçanicës, ende nuk ka përgjigje.

“Jemi ne dërgim te shkresës se dyte duke kërkuar informacione nga kryetarja ne fjale pasi kthimi i përgjigjeve eshte obligativ dhe jemi ne hetim e sipër dhe ne momentin qe do te kemi përfundim do te dalim e bëjmë publike..” ka thënë Petrit Çollaku, zëdhënës i Avokatit të Popullit

Kjo qasje vjen pas vërejtjeve për lëshimin e lejeve për shqiptarë, që presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ua bëri pushtetarëve në këtë Komunë kur i vizitoi në 2018.

E këta po ua plotësojnë dëshirën duke u bazuar në një rregullore të shfuqizuar, për të cilën Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal me 16 janar të këtij viti i kërkoi specifikisht të mos bazohen.

“Organet e komunës, gjatë procedurave të lëshimit të lejeve ndërtimore të mos bazohet në Rregulloren Nr. 03/18 KG e cila është shfuqizuar dhe është në kundërshtim me dispozita ligjore në fuqi. Drejtoria e urbanizmit të ndalojë masën diskriminuese duke refuzuar pajisjen e palëve me leje ndërtimore”, kanë dekalruar për T7 nga MAPL.

Për dallim nga Institucioni i Avokatit të Popullit, MAPL-së i kthyen përgjigje, por gjithnjë në mbrojtje të rregullores së paligjshme.

“Rregullorja nuk përmban dispozita diskriminuese në asnjë pjesë dhe nuk është miratuar në dobi apo në dëm të asnjë komuniteti. Me shpresën se do të bisedoni me kolegët tuaj dhe do të jeni objektiv në analizimin e dokumenteve, presim bashkëpunim të mëtejshëm në formën e një takimi ndërmjet ekipit tonë dhe tuajit”, janë arsyetuar nga Komuna e Graçanicës.

E një takim i tillë për shmangie të zbatimit të ligjit, po vlerësohet i padobishëm nga ministri Elbert Krasniqi.

Në rast se vazhdohet njëlloj, paralajmërohet suspendimi i kryetares së Graçanicës, Liljana Shubariq.

“MAPL e ka ekskluzivitetin me e propozu në mbledhje të Qeverisë suspendimin e kryetarit dhe më pas merret gjykata kompetente”, ka deklaruar ministri Elbert Krasniqi.

(Kosova Sot Online)