Kurti: Nuk ka qeveri që i ka ndihmuar komunitetit serb më shumë se ne

  • A.P /
  • 25 February 2024 - 11:15
Kurti: Nuk ka qeveri që i  ka ndihmuar komunitetit serb më shumë se ne

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka folur sërish për mospajtimet me aleatët ndërkombëtarë lidhur me vendimin e Bankës Qendrore e Kosovës për rregulloren e re, sipas së cilës parashihet ndalimi i përdorimit të dinarit serb në vend, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Në një intervistë për gazetarin e radio Monocle, Kurti ka thënë se fillimisht nuk ka qenë në dijeni për vendimin e BQK-së.

Ai më tej është shprehur se presioni ndaj tij filloi pasi Vuçiq propagandoi se  ky vendim do të sjellë “katastrofë” për serbët e Kosovës.

“Më 28 dhjetor të vitit të kaluar, Banka Qendrore mori këtë vendim, për rregulloren e re dhe bënë mirë. Nuk kisha ide për këtë vendim apo për drafitmin e kësaj rregullore. Gjithçka ishte duke shkuar mirë dhe pa probleme dhe në mes të janarit, pikërisht pasi përgatitjet po shkonin mirë, presidenti serb Vuçiq alarmoi rajonin dhe Evropën se “katastrofa” do të ndodhë prej 1 shkurtit kur dinari do të përjashtohet. Dhe atëherë presioni  ndaj meje filloi, kur Vuçiqi foli. Ne nuk po përjashtojmë dinarin, mund të keni dinarë në Kosovë por mjet për pagesa është euro, sipas Kushtetutës mund të ketë vetëm një valutë.

Ne duam të ndihmojmë serbët dhe nuk ka qeveri që kur kemi shpallur pavarësinë që i  ka ndihmuar komunitetit serb më shumë se ne”, ka thënë Kurti.

Autoritetet në Kosovë thanë se nga 1 shkurti do të hyjë në fuqi rregullorja e Bankës Qendrore mbi pagesat me para të gatshme në vend, por lanë të hapur mundësinë për një periudhë kalimtare për zgjidhjen e shqetësimeve të komunitetit serb që vazhdon të përdorë dinarin serb. Kjo ka ngjallur reagimet e menjëhershme të komunitetit ndërkombëtar.

Hyrja në fuqi e rregullores së BQK-së ka ngritur shqetësime edhe te popullata serbe në Kosovë, e cila ka përdorur dinarin serb për të kryer pagesa. Me këtë valutë, pagën e kanë marrë edhe punonjësit në institucioneve serbe në Kosovë, por edhe me dinarë janë paguar edhe pensionet, sipas sistemit serb si dhe shtesat për fëmijë dhe ndihmat sociale.

Gjithashtu, në zonat ku banojnë serbët, dinarët janë përdorur në objektet tregtare, ndërkaq në katër komunat me shumicë serbe në veri, çmimet janë me dinarë.

Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë, paraprakisht e kishte thënë se vendimi i BQK-së rrezikon mbijetesën e serbëve në Kosovë.

(Kosova Sot Online)