Osmani dhe Përparim Rama në Katar në kërkim të investitorëve

  • A.P /
  • 25 February 2024 - 13:13
Osmani dhe Përparim Rama në Katar në kërkim të investitorëve

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është duke qëndruar për vizitë në Katar, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Ajo atje po merr pjesë në tryezën ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Katarit, që po mbahet në Doha ku po diskutohet për potencialin investues në Kosovë.

Në këtë tryezë ekonomike po merr pjesë edhe kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama.

“Në këtë tryezë ekonomike me pjesëmarrje të Odës Ekonomike të Katarit dhe bizneseve anëtare katariane, kryetarit të Prishtinës z. Përparim Rama edhe disa nga bizneset më të suksesshme nga Kosova, u diskutua për mundësitë e shumta për parnteritete biznesore dhe investime në sektorë strategjik.”

Osma ka thënë se Kosova ka infrastrukturë të përafruar me ligjet e BE-së, një sistem të standardizuar të taksave me standardet më të mira ndërkombëtare, një ambient miqësor për investitorët e huaj dhe potencial të jashtëzakonshëm për investim në fusha të ndryshme.

Presidentja Osmani veçoi mundësitë e shumta për bashkëpunim në industrinë e ushqimit dhe sigurisë ushqimore, energjisë, hotelerisë dhe turizmit malor, industrisë së drurit dhe asaj metalike.

Ndërkaq, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama prezantoi planin për zhvillimin e Prishtinës, me fokus te një sërë projektesh kapitale e infrastrukturore nga fusha e sportit, artit, transportit e më gjerë.

“Kjo tryezë shërbeu edhe si platformë për bizneset kosovare për të promovuar bizneset e tyre dhe për të diskutuar mundësitë e bashkëpunimit të drejtpërdrejt me bizneset katariane. Gjatë tryezës ekonomike u vunë në pah mundësitë e shumta për partneritete e projekte të përbashkëta dhe pritet që së shpejti një delegacion i bizneseve të Katarit ta vizitojë Kosovën me qëllim të konkretizimit të bashkëpunimit.”

Gjatë kësaj vizite në Katar, Osmani do të zhvillojë takime edhe me zyrtarë shtetëror të Katarit ku do të diskutohen mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve si dhe do të mbajë fjalim në Ëeb Summit, i cili sivjet po mbahet në Doha.

(Kosova Sot Online)