Shoferi në këtë vend të Kosovës harron se ku e ka parkuar veturën, e denoncon rastin për vjedhje

  • A.P /
  • 26 February 2024 - 16:13
Shoferi në këtë vend të Kosovës harron se ku e ka parkuar veturën, e denoncon rastin për vjedhje

Raportohet se një qytetar nga Prizreni është ankuar në polici se “me datën 23.02.2024 nga persona të panjohur i është vjedhur automjeti të cilin e kishte në shfrytëzim dhe e kishte të parkuar në rrugën ‘Ali Dida’ në qytetin e Prizrenit”, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Me ta raportuar si rast, Policia e Kosovës e ka iniciuar si “Vjedhje e rëndë” kështu duke i filluar edhe hetimet.

Por, më vonë është kuptuar se personi i cili është ankuar, e ka harruar vendin se ku e kishte parkuar automjetin e tij.

“Me datën 26.02.2024 automjeti në fjalë është gjetur i parkuar në rrugën ‘’Sylejman Rrotalla’’ në qytetin e Prizrenit dhe nga hetimet është vërtetuar se ankuesi i lartcekur ka ngatërruar (harruar) vend parkimin e automjetit në fjalë. Automjeti pas përfundimit të procedurave i është kthyer pronarit legjitim”, thuhet në njoftimin e policisë.

Me këtë rast, Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren ka ftuar të gjithë qytetarët që të jenë të vëmendshëm gjatë parkimeve të automjeteve të tyre për mënyrën dhe lokacionin e parkimit, pasi raste të tilla vazhdojnë të raportohen në Policinë e Kosovës.

(Kosova Sot Online)