Ndalohet për 48 orë shoferja e veturës që la të vdekur një person
Për aksidentin me fatalitet që ndodhi sot në afërsi të Ministrisë së Arsimit në Prishtinë, raportohet se shoferja e veturës është ndaluar për 48 orë, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Nga ky aksident vdiq një i ri, në cilësinë e këmbësorit.
Shoferja dyshohet për veprën penale “Rrezikim i trafikut publik”.
Laureta Ulaj, zëdhënëse në Prokurorinë Themelore të Prishtinës e konfirmoi ndalimin e të dyshuarës.
“Ju njoftojmë lidhur me aksidentin i cili ndodhi sot ne rrugën “Agim Ramadani”, se Prokurori i Shtetit ka lëshuar aktvendim mbi ndalimin e të dyshuarës, për veprën penale “Rrezikim i trafikut publik” (me fatalitet). E dyshuara është dërguar në mbajtje në kohëzgjatje prej 48 orësh”, tha Ulaj
Zëdhënësja e Policisë, Flora Ahmeti, tha se vdekja e këmbësorit është konstatuar nga ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes.
“Sot rreth orës 12:40 kemi pranuar informatën se në rrugën “Agim Ramadani” në Prishtinë, ka ndodhur një aksident trafiku me pasoja fatale. Në këtë aksident, kanë qenë të përfshirë një këmbësor dhe një automjet. Si pasojë e aksidentit, lëndime të rënda trupore ka pësuar këmbësori i cili nuk ka arritë të përballojë plagët dhe i njëjti ka ndërruar jetë. Vdekjen e tij e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendngjarje”, është prononcuar Ahmeti gjatë ditës.
(Kosova Sot Online)
