Ushtria amerikane përdor fondet e veta për t’i stërvitur forcat ukrainase

  • A.P /
  • 27 February 2024 - 18:05
Ushtria amerikane përdor fondet e veta për t’i stërvitur forcat ukrainase

Ushtria amerikane është detyruar të përdor fonde nga buxheti i saj për të mbuluar shpenzimet e stërvitjes së forcave ukrainase. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Carla Babb, kjo strategji mund të ndikojë tek burimet financiare të ushtrisë amerikane në Evropë, ndërsa agresioni rus kundër Ukrainës hyn në vitin e tretë, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Ndërkohë që Kongresi ende nuk ka miratuar një buxhet për mbrojtjen dhe Dhoma e Përfaqësuesve nuk ka shqyrtuar votimin për një paketë ndihme shtesë për Ukrainën, ushtria amerikane po shfrytëzon fondet e saj për stërvitjen e forcave ukrainase.

“Është një mision i rëndësishëm. Ne nuk mund t’ua kthejmë shpinën. Ushtria amerikane duhet të marrë vendime të vështira që do të ndikojnë tek të gjitha forcat ushtarake”, thotë për Zërin e Amerikës Sabrina Singh, zëdhënëse e Pentagonit.

​Zyrtarët e ushtrisë i thanë Zërit të Amerikës se nëse nuk miratohet buxheti, ushtrisë amerikane në Evropë dhe Afrikë do t’i mbarojnë fondet për gjithçka, përfshirë mbështetjen për Ukrainën, si dhe operacionet dhe stërvitjet amerikane me aleatët e NATO-s – në fillim të verës.

(Kosova Sot Online)