Hovenier: Qeveria e Kosovës duhet të bëjë disa gjëra që deri më tani nuk i ka bërë
Ambasadori amerikan, Jeff Hovenier është pyetur se deri kur SHBA-ja do të tolerojë Kosovën që të sillet në një mënyrë të tillë, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Diplomati amerikan ka përmendur përkushtimin amerikan dhe gjithë punën e bërë prej një brezi të tërë politikanësh amerikanë, përfshirë edhe vetë ambasadorin Hovenier, në përkrahje të Kosovës drejt bërjes shtet.
Ambasadori Hovenier thotë se SHBA-ja vendimin për njohjen e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran e ka marrë në vitin 2008 dhe se nuk kthehet më mbrapa për të shikuar.
Megjithatë thotë se një gjë e tillë nuk nënkupton që individë që Qeverisin me Kosovën mund të llogarisin në përkrahjen e plotë të SHBA-së për politikat e tyre.
Hovenier thotë se kjo s’ka ndodhur dhe s’është rasti as tani.
“Kjo nuk do të thotë se çdo individ që qeveris me Kosovën mund të marrë mbështetjen e plotë për të gjitha politikat e tyre. Nuk ka qenë kështu. Dhe sigurisht që nuk është rasti tani”, ka thënë Hovenier.
I pyetur për hapat e ardhshëm që mund t’i marrë SHBA-ja, Hovenier ka potencuar se s’mund të thotë më shumë se sa që është thënë. Ai ka përsëritur faktin se kualiteti i partneritetit me Kosovën është ndikuar.
Diplomati amerikan ka thënë se shpreson që kjo situatë do të tejkalohet së shpejti në mënyrë që të zbutet ndikimi negativ në raportet mes SHBA-së dhe Kosovës.
“Dhe kështu ne mund t’i kthehemi punës së bashku në një mënyrë më konstruktive dhe pozitive për ta parë trajektoren evropiane dhe euroatlantike të Kosovës, të avancuar më efektivisht dhe më shpejt. Por kjo do të thotë se qeveria e Kosovës duhet të bëjë disa gjëra që deri më tani kjo qeveri nuk i ka bërë”, ka thënë Hovenier.
(Kosova Sot Online)