Ja si e kuptuan amerikanët planin e Serbisë për ndërhyrje ushtarake në Kosovë

  • A.P /
  • 29 February 2024 - 19:37
Ja si e kuptuan amerikanët planin e Serbisë për ndërhyrje ushtarake në Kosovë

Në një artikull të publikuar nga revista prestigjioze amerikane, “Time”, zbulohet se ekspertët e Ballkanit në Shtëpinë e Bardhë kanë marrë një telefonatë shqetësuese nga agjencia e inteligjencës amerikane më 27 shtator, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

“Ne ishim shumë të shqetësuar se Serbia mund të përgatitej për të nisur një pushtim ushtarak,” i thotë “Time”-it një zyrtar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare (NSC).

Pas tensioneve të njëpasnjëshme në Kosovë dhe pas mossuksesit diplomatik të shteteve evropiane për të qetësuar situatën në terren, pyetja ishte çfarë të bëhej për këtë.

“Në Uashington, vëmendja u përqendrua te kaosi në Kongres; në pjesën më të madhe të Evropës, prioriteti kryesor ishte marrja e mbështetjes së vazhdueshme për Ukrainën,” thuhet në artikull.

Si pjesë e një përpjekjeje për t’i bërë presion Serbisë që të zhvendoset nga kufiri me Kosovën, këshilltari i Sigurisë Kombëtare i SHBA-së, Jake Sullivan, miratoi një kërkesë për të deklasifikuar informacionet sekrete të grumbullimit të ushtrisë së Serbisë përgjatë kufirit me Kosovën për publikun.

Më 29 shtator, John Kirby, nga Këshilli për Siguri Kombëtare, pati një telefonatë me zyrtarë të medieve në Shtëpinë e Bardhë.

Aty, ai i dha informacionet se dislokimi serb përfshinte artileri të avancuar, tanke e njësi të këmbësorisë.

“Kirby dha informacione të reja për sulmin e 24 shtatorit ndaj oficerit të policisë kosovare dhe dha lajmin për dislokimin e fundit serb, duke zbuluar se ai përfshinte artileri të avancuar, tanke dhe njësi të mekanizuara të këmbësorisë. Ndërsa mbulimi u rrit, vendet evropiane iu bashkuan SHBA-së në ushtrimin e presionit të ri diplomatik ndaj serbëve dhe MB njoftoi një dislokim shtesë të trupave në Kosovë. Brenda pak ditësh, trupat serbe po tërhiqeshin”, thuhet në artikull.

Kjo është një shembull i qasjes së re së Shtëpisë së Bardhë për përdorimin e inteligjencës, e që është në rritje prej agresionit rus në Ukrainë.

(Kosova Sot Online)