Kamberi: Vuçiq pret një moment të caktuar për të nisur realizimin e ndonjë kërkese

  • A.P /
  • 29 February 2024 - 20:14
Kamberi: Vuçiq pret një moment të caktuar për të nisur realizimin e ndonjë kërkese

Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka deklaruar se Beogradi nuk tregon vullnet politik që çështjes së shqiptarëve në Luginën e Preshevës t’i qaset në mënyrë serioze, sepse pakicën shqiptare ende e konsideron problematike, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Kamberi tha se në takimin që ka pasur me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq, i ka dorëzuar për të pestën herë një listë me kërkesat e njëjta, por të cilat nuk janë marrë parasysh asnjëherë deri më tani.

“Kërkesa jonë bazë është plani 7 pikësh me gjithë komponentët e tij. Vuçiq nuk dha ndonjë shpresë të caktuar se do të mund të bëhet. Komenti i tij ishte se do të na duhen konsultime me partnerët ndërkombëtarë lidhur me realizimin. Por duhet të potencohet se kemi të bëjmë me një dokument i cili nga Qeveria e Serbisë është aprovu më 4 qershor 2013. Pra thjeshtë ajo që ne jemi të interesuar me bisedu është dinamika e realizimit të këtij plani”, deklaroi Kamberi

Ai tha se Vuçiq pret një moment të caktuar për të nisur realizimin e ndonjë kërkese, por sipas tij, kjo ditë nuk do të vijë derisa bashkësia ndërkombëtare të fillojë të ushtrojë një presion më të madh ndaj Serbisë lidhur me këtë temë.

“Përkëdhelja, e posaçërisht që Bashkimi Evropian po ia bën presidentit serb, po e liron atë nga përgjegjësia e realizimit të tre marrëveshjeve që ka me shqiptarët”, tha mes tjerash Kamberi.

(Kosova Sot Online)