Kurti takon kryeministrin irlandez, flasin për zhvillimet e fundit

  • A.P /
  • 01 March 2024 - 18:35
Kurti takon kryeministrin irlandez, flasin për zhvillimet e fundit

Me kryeministrin e Irlandës, Leo Varadkar është takuar sot kryeministri Albin Kurti, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Gjatë takimit ata folën për marrëdhëniet dypalëshe, bashkëpunimi në fushën e ekonomisë, tregtisë e teknologjisë, dhe zhvillimet rajonale. Bashkë diskutuan për mundësitë e thellimit të tyre në të gjitha fushat me interes të përbashkët.

Në njoftim, thuhet se Kurti i ka paraqitur kryeministrit irlandez ofertën që Kosova paraqet për investime të kompanive irlandeze, me theks në sektorin e teknologjisë.

“Duke u shprehur falënderues për mikpritjen që ka pranuar në Dublin dhe për mbështetjen e zëshme dhe të vazhdueshme të Irlandës ndaj Kosovës, Kryeministri Kurti e njoftoi kryeministrin irlandez Varadkar me zhvillimet e fundit në vend, progresin e shënuar deri më tani dhe ofertën që Kosova paraqet për investime të kompanive irlandeze, me theks në sektorin e teknologjisë”, thuhet në njoftimin e ZKM-së.

Ai e falënderoi kryeministrin Varadkar për përkrahjen aktive ndaj Kosovës në procesin e integrimeve evropiane dhe në anëtarësimin e saj në Këshillin e Evropës.

(Kosova Sot Online)