Të akuzuarit në rastin “Gropa” mbrohen në heshtje, gratë e tre prej tyre tregojnë për ditën kur iu shkoi Policia në shtëpi

  • S.A /
  • 02 March 2024 - 07:50
 Të akuzuarit në rastin “Gropa” mbrohen në heshtje, gratë e tre prej tyre tregojnë për ditën kur iu shkoi Policia në shtëpi

Në Gjykatën Themelore në Ferizaj, të akuzuarit në rastin “Gropa”, Sahit Shabani, Afrim Dernjani, Sefedin Dernjani, Besim Hyseni dhe Mufail Shabani, të premten kanë shfrytëzuar mundësinë për t’u mbrojtur në heshtje në këtë fazë të procedurës, transmeton "Kosova Sot Online ".

Pas konsultimeve me mbrojtësit e tyre, avokatët Avni Ibrahimi, Dardan Hakiu, Faton Hyseni, Qendresa Lajqi-Bajraktari dhe Vildane Hamiti, kanë vendosur që të shfrytëzojnë të drejtën që të mbrohen në heshtje, raporton “Betimi për Drejtësi”. Ndërsa, për të akuzuarit e tjerë Zafer Serkan, Faruk Diri, Murat Ylmaz, Avdulvehap Diri, Halit Irez dhe Sylejman Yuruk, mbrojtësit e tyre njëzëri thanë që ata të deklarohen rreth çështjes, por kërkuan që t’iu jepet kohë e arsyeshme për përgatitjen e mbrojtjes.

Andaj, kërkruan që kjo seancë të ndërpritet dhe të caktohet në kohë optimale. Këtë propozim nuk e kundërshtoi prokurori Valdet Avdiu, e më pas e aprovoi edhe kryetari i trupit gjykues, Ilir Bytyqi.

Paraprakisht, në këtë seancë u dëgjuan dëshmitaret M.H,, Sh.Sh dhe L.Sh., bashkëshortet e të akuzuarve Besim Hyseni, Mufail Shabani dhe Sahit Shabani, të cilat rrëfyen për ditën kur Policia u kishte shkuar për kontroll në shtëpitë e tyre.

Dëshmitarja M.H., deklaroi se në maj të vitit 2022, Policia kishte qenë në shtëpinë e saj në Ferizaj dhe kishin bërë kontroll të gjithë shtëpinë.

Mirëpo, e njëjta tha se nuk ka pasur dijeni se për çka kishin ardhur Policia, ndërsa më vonë e kishte kuptuar.

“Ne kemi pas një shtëpi të pabanuar në Firajë, një ditë unë kam shku për të pastruar, gjendja në shtëpi ishte… 3 apo 4 shtretër ishin të shtruar, jorganët dhe jastëkët ishin në shtretër e që rëndom unë i kam paluar sa kemi qëndruar dhe jetuar në atë shtëpi, në sallon kishte shishe të pijeve, qese të bukës dhe farave çka kishin ngrënë, një kantë e bardhë me ujë, nëse nuk gaboj një ose dy boca të plinit”, deklaroi dëshmitarja.

Ajo shtoi se të gjitha këto gjëra i kanë vendosur jashtë dhe se kovat me ujë i ka lënë te ekskavatori sepse ka menduar se do t’iu duhen për bahqe, ndërsa mbeturinat tha se i ka djegur.

Në seancë u dëgjua edhe dëshmitarja Sh.Sh., e cila deklaroi se ditën kur Policia kishte shkuar për kontroll në shtëpinë e tyre, kishte kuptuar se të njëjtit kishin gjetur diçka, por që sakt nuk e dinte çfarë.

“Në muajin maj kemi pas disa mysafirë jo kosovarë, ka qenë ditë e zakonshme, ata ishin mysafirë të panjohur për mua, mysafirët unë nuk i kam parë sepse gjithë kohën kam punuar në bashqe, nëse nuk gaboj ka qenë ditë e hënë, kanë ardhë policia në kontroll, unë kam kuptuar se diçka kanë gjetur por saktë nuk e di”, deklaroi Sh.

Ajo tha se me sa i kujtohet, mysafirët kanë qëndruar nga e shtuna deri të hënën, kur edhe kanë shkuar Policia dhe i kanë marrë.

Po ashtu, në këtë seancë u dëgjua edhe dëshmitarja L.Sh., e cila deklaroi se në maj të vitit 2022, Policia kishte qenë për kontroll në shtëpinë e tyre, ku gjatë kontrollit në kuzhinë kishin marrë një sasi të çajit të rusit.

E njëjta tha se në shtëpinë e tyre kishte qenë një musafir nga Turqia, por që e njëjta nuk kishte qëndruar në dhomën ku mysafiri qëndronte me bashkëshortin e saj, ndërsa shtoi se nuk i kujtohej nëse bashkëshorti i saj e kishte prezantuar me atë person.

Prokurori Avdiu e ka pyetur dëshmitaren, se sa kohë para se të shkonte Policia ka qënduar në shtëpinë e tyre personi nga Turqia, e ajo tha se ka qenë më herët jo në kohën kur kishte ardhur policia.

Ndryshe, më 29 maj 2023 është veçuar procedura për të akuzuarit Atif Shabani, Samir Hyseni, Selman Shabani dhe Valdrin Neziri, e të cilët sipas marrëveshjes për pranim fajësie që është arritur me Prokurorinë Themelore në Ferizaj, u dënuan me 22 muaj burgim dhe 10 mijë e 900 euro gjobë (së bashku).

Sipas aktakuzës të përpiluar më 10 shkurt 2023 nga Prokuroria Themelore e Ferizajt, të pandehurit Sahit Shabani, Afrim Dernjani, Zafer Serkan, Valdrin Neziri, Besim Hyseni, Faruk Diri, Avdulvehap Diri, Murat Yilmaz, Halit Irez dhe Syleyman Yuruk, thuhet se nga muaji prill 2022, e deri më 23 maj 2022, pa autorizim në shtëpinë e të pandehurit Besim Hyseni në fshatin Firaj, Komuna e Shtërpcës dhe në shtëpinë e të pandehurit Mufail Shabani, në rrugën “Suksesi”, në fshatin Varosh, Komuna e Ferizajt, kanë prodhuar substanca narkotike të llojit heroinë dhe atë 67.5 kilogramë, ndërsa 25.5, kilogramë nuk kishin arritur ta prodhonin.

Sipas aktakuzës, të pandehurit Sahit Shabani, Afrim Dernjani, Valdrin Neziri dhe Zafer Serkan, kishin organizuar transportin e lëndës së parë të narkotikut, të cilën e kishin sjellë nga Irani përmes Turqisë-Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut, të cilën e kishin vendosur në një depo në rrugën “Astrit Bytyqi”, pastaj kishin improvizuar një laborator për prodhimin e heroinës në shtëpinë e të pandehurit Besim Hyseni në fshatin Firaj, dhe kishin filluar të furnizohen me vegla, të cilat i kërkonte i pandehuri Avdulvehap Diri.

Tutje, sipas aktakuzës, më 7 maj 2022, në Kosovë kishte ardhur edhe i pandehuri Zafer Serkan, i cili gjatë qëndrimit pesëditor, përveç takimeve të përditshme me të pandehurit Sahit, Afrim dhe Avdulvehap, me qëllim të përgatitjes sa më të mirë të kushteve për prodhimin e heroinës, më 8 maj 2022, së bashku me Sahitin ishte takuar edhe me personin me emrin Valon Sylqa, nga i cili kishin siguruar pesë bidona, secili me peshë prej 50 litra, si dhe 8 bidona, secili me peshë prej 10 litra të mbushur me likuid të lëngshëm, (prekusor për prodhimin e heroinës), e të cilët pas dy dite me dy automjete i kishin marrë të pandehurit Afrim dhe Sefedin Dernjani, të cilat i dërgonin në fshatin Firaj.

Tutje, sipas aktit akuzues, më 13 maj 2022, në Kosovë kishte ardhur i pandehuri Faruk Diri, ndërsa më 15 maj 2022, në Kosovë kishin ardhur edhe të pandehurit Halit Irez dhe Murat Yilmaz, dhe më 18 maj 2022, kishte filluar procesi i prodhimit të heroinës, mirëpo më 20 maj 2022, pasi të njëjtit kishin dyshuar se policia iu kishte vënë në gjurmë, të pandehurit Afrim, Besim, Valdrin, nga Firaja kishin tërhequr narkotikun të cilët deri në atë kohë e kishin prodhuar dhe pjesën tjetër të papërpunuar dhe i kishin dërguar në fshatin Varosh, në shtëpinë e të pandehurit Mufail Shabani.

Më tej thuhet se, pasi në Kosovë kishin ardhur sërish të pandehurit Zafer Serkan dhe Sylejman Yuruk, të cilët ishin takuar me të pandehurit Sahit, Afrim dhe Avdulvehap, ky i fundit pas këtij takimi pastaj së bashku me Faruk Diri dhe Murat Yilmaz kishin rifilluar prodhimin e heroinës.

Kurse më 23 maj 2022, sipas aktakuzës, policia kishte bërë bastisjen e shtëpisë së të pandehurit Mufail Shabani, ku janë gjetur sasia prej 67.71, kilogramë narkotikë të llojit heroinë, ndërsa më 30 gusht 2022, në një shtëpi të pabanuar në fshatin Doganaj ishte gjetur edhe një sasi prej rreth 25.5 kilogramë narkotik të papërpunuar gjegjësisht, me përbërje morfinë dhe kodein.

Me këtë rast, të lartcekurit ngarkohen se kanë kryer veprën penale “Prodhimi dhe përpunimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope, analoge apo veglave, pajisjeve apo materialeve narkotike” nga neni 268, par. 1 dhe par. 4 lidhur me nenin 275, par. 1, nënpar. 1.1 dhe 1.9 të Kodit Penal.

Sipas aktakuzës i pandehuri Sefedin Dernjani, me dashje dhe dijeni të aktivitetit kriminal që kryhej që nga 27 prill 2022, kishte ofruar ndihmë logjistike në procesin e prodhimit të heroinës, duke u përkujdesur që të gjejë depon ku fillimisht ishin vendosur thasët në të cilët kishte qenë e vendosur edhe lënda e parë bazë e heroinës, kishte kontraktuar personat për zbrazjen e thasëve të çajit, në të cilët kishte qenë e vendosur lënda bazë e heroinës, po ashtu së bashku me të pandehurin Afrim Dernjani në Aeroportin e Shkupit e kishte marrë të pandehurin Abdylvehap Diri, kishte marrë me qira automjet, i cili ishte shfrytëzuar nga i pandehuri Afrim Dernjani.

Gjithashtu, thuhet se ata kishte kontraktuar edhe dëshmitarin Agron Berisha, me të cilin së bashku edhe me të pandehurin Afrim Dernjani dhe personin me emrin Samet Dernjani, në Pejë kishin marrë bidonat të mbushur me prekusor për prodhimin e narkotikëve.

Me këtë rast, i pandehuri Dernjani ngarkohet se ka kryer veprën penale “Ndihmë në kryerjen e veprës penale, Prodhimi dhe përpunimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope, analoge apo veglave, pajisjeve apo materialeve narkotike” nga neni 268, par. 1 dhe par. 4 lidhur me nenin 275, par. 1, nënpar. 1.1 dhe 1.9 të KPRK-së.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i pandehuri Mufail Shabani, që nga 20 maj e deri më 23 maj 2022, në rrugën “Suksesi”, në fshatin Varosh, me dashje dhe dijeni të plotë të aktivitetit i cili do të kryhej, kishte lëshuar me qira katin e dytë të shtëpisë së tij, të pandehurit Sahit Shabani, që shfrytëzohej si laborator për prodhimin e heroinës, në të cilën shtëpi ishte bërë përpunimi final i narkotikëve, në të cilin përpunim kishin marrë pjesë të pandehurit Abdylvehap Diri, Murat Yilmaz dhe Faruk Diri, ku edhe ishte gjetur dhe sekuestruar sasia e narkotikëve prej 67.5 kilogramë heroinë.

Ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Ndihmë në kryerjen e veprës penale Prodhimi dhe përpunimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope, analoge apo veglave, pajisjeve apo materialeve narkotike” nga neni 268, par. 1 dhe par. 4 lidhur me nenin 275, par. 1, nënpar. 1.1 dhe 1.9 të KPRK-së.

Tutje, në aktakuzë thuhet se i pandehuri Atif Shabani më 22 maj 2022, pasi të pandehurit Sahit Shabani dhe Afrim Dernjani i kishin nxjerrë nga automjeti “Opel Astra” dy thasë të cilat i kishin marrë në fshatin Firaj, me qëllim të parandalimit apo fshehjes së provave, fillimisht rreth orës 10:44, kishte marrë dy thasë të bardhë të cilat i kishte vendosur në një karrocë, e pastaj i kishte dërguar tek shtëpia e të pandehurit Mufail Shabani, ndërsa rreth orës 16:15 nga shtëpia e tij kishte dërguar me karrocë në shtëpinë e të pandehurit Mufail Shabani, një bombolë gazi dhe një enë të madhe.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Pengimi i të provuarit në procedurën zyrtare”, nga neni 386 par 2 të KPRK-së.

Ndërsa, i pandehuri Selman Shabani akuzohet se më 22 maj 2022, në mbrëmje, me kërkesë të të pandehurit Sahit Shabani, me qëllim të parandalimit apo fshehjes së provave, ka shkuar në shtëpi dhe nga kati i dytë babai i tij Mufail Shabani, ku kishte qenë duke prodhuar narkotikë, shtetasit turk, i cili kishte marrë tre thasë, i kishte vendosur në karrocë, dhe i kishte dërguar sërish te Sahit Shabani.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Pengimi i të provuarit në procedurën zyrtare”, nga neni 386 par 2 të KPRK-së.

Kurse, i pandehuri Samir Hyseni ngarkohet se me qëllim të fshehjes së provave në procedurën gjyqësore, më 20 maj 2022, kishte shkuar në shtëpinë e tij në fshatin Firaj dhe me qëllim të parandalimit apo fshehjes së provave, kishte filluar ta pastrojë vendin, ku kanë qëndruar shtetasit turq, si dhe t’i largojë dhe djeg disa nga gjësendet të cilat ishin përdorur për prodhimin e narkotikëve.

Me këtë rast, i pandehuri Hyseni akuzohet se ka kryer veprën penale “Pengimi i të provuarit në procedurën zyrtare”, nga neni 386, paragrafi 2 të KPRK-së.

(Kosova Sot Online )