Begaj: Sulmi terrorist në Banjskë tregoi se sa e brishtë është siguria në rajonin tonë

  • E.K /
  • 04 March 2024 - 13:41
Begaj: Sulmi terrorist në Banjskë tregoi se sa e brishtë është siguria në rajonin tonë

Në përurimin hapjen e bazës ajrore e NATO-s në Kuçovë, presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka thënë se jetësimi i kësaj baze shënon një kapitull të ri në historinë e mbrojtjes dhe sigurisë së vendit tonë e rajonit, përcjell “Kosova Sot Online”.

Tutje, ai tha se baza ajrore taktike e NATO-s e ngritur në Kuçovë simbolizon një urë ku e shkuara dhe e tashmja bashkohen për të siguruar një të ardhme të sigurt.

“Jetësimi i bazës ajrore të Kuçovës shënon një kapitull të ri në historinë e mbrojtjes dhe sigurisë së vendit tonë e rajonit. Kjo bazë është rezultat i bashkëpunimit dhe koordinimit midis aleatëve dhe vëmendjes që Shqipëria i kushton sigurisë dhe mbrojtjes. I shpreh mirënjohje ShBA-së për mbështetjen e paçmuar që i kanë dhënë Shqipërisë. Baza ajrore taktike e NATO-s e ngritur në Kuçovë simbolizon një urë ku e shkuara dhe e tashmja bashkohen për të siguruar një të ardhme të sigurt”, tha ai.

Tutje, presidenti shqiptar përmendi edhe sulmin terrorist në Banjskë më 24 shtator, duke thënë se ky sulm tregoi se sa e brishtë është siguria në rajon.

Begaj shtoi se duhet qënderuar të gatshëm për të mbrojtur veten dhe për të kontribuar në aleancë.

“NATO nëpërmjet këtij investimi tregon se Shqipëria ka rëndësi strategjike për aleancën. Për Shqipërinë një investim strategjik shumë i nevojshëm dhe i mirëpritur. Me rëndësi të veçantë kur siguria në hapësirën euroatlantike është e rrezikuar. Agresioni i paprovokuar i Rusisë ndaj Ukrainës, situata në Lindjen e Mesme dhe në rajonet e tjera, terrorizmi, përbëjnë sfida. Konfrontimet politike ushtarake rrezikojnë të përshkallëzohen dhe të përhapen kjo u pa më së miri shtatorin e kaluar, në sulmin terrorist të Banjskës në Kosovë. Ai sulm tregoi se sa e brishtë është siguria në rajonin tonë dhe dëshmoi se ka ende aktorë lokalë që mundohen ta projektojnë të ardhmen nëpërmjet një të kaluare e cila s’duhet të kthehet më. Ne duhet të jemi të gatshëm për të mbrojtur veten dhe për të kontribuar në aleancë”, tha presidenti Bajram Begaj.

(Kosova Sot Online)