Maqedonci: Lufta e Jasharëve është kthyer në burim frymëzimi për të gjithë luftëtarët e UÇK-së në luftën e tyre për liri

  • E.K /
  • 05 March 2024 - 09:18
Maqedonci: Lufta e Jasharëve është kthyer në burim frymëzimi për të gjithë luftëtarët e UÇK-së në luftën e tyre për liri

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka kujtuar rezistencën heroike të familjes Jasahri me rastin e 26-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), përcjell “Kosova Sot Online”.

Me anë të një postimi në Facebook, Maqedonci u shpreh se gjatë 5, 6 dhe 7 marsit 1998, qielli mbi Prekaz do të nxihej për tre ditë rresht nga tymi i pa numër predhave të hedhura mbi luftëtarët e lirisë dhe mbi shtëpitë e Prekazit.

Maqedonci u shpreh se lufta e Jasharëve të Prekazit është kthyer në burin frymëzimi për të gjithë luftëtarët e UÇK-së në luftën e tyre për liri, duke u trashëguar deri te ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

“26 vjet përpjekje për ta kultivuar luftën e drejtë për liri dhe për ta frymëzuar me të luftën për shtetndërtim. 26 vjet Epope e UÇK-së: 26 vjet lavdi”, ka shkruar Maqedonci.

Postimi i plotë:

Në mëngjesin e 5 marsit të vitit 1998, shumë rrugë dhe zona të Kosovës ishin vërshuar nga forca të shtuara policore dhe ushtarake të Serbisë pushtuese. Një natë më parë, në shumë ndërtesa në Prishtinë por dhe në lokacione tjera nëpër Kosovë, ishin vendosur snajperistë dhe patrulla të shtuara të policisë serbe. E gjithë kjo për të realizuar një operacion të gjerë policor dhe ushtarak kundër një familje, kundër një kompleksi shtëpish, në fshatin Prekaz, aty ku pushka e lirisë së bashku me këngët e kushtrimit, po jehonin ndër vite, pa pyetur për frikën dhe forcën me të cilën po ballafaqoheshej Kosova.

Shaban Jashari me të bijtë Ademin e Hamzën dhe anëtarët e tjerë të familjes, në mëngjesin e 5 marsit, e nisën luftën duke dhënë shembullin e një rezistence totale, deri në frymën e fundit: për lirinë e Kosovës. Gjatë 5, 6 dhe 7 marsit 1998, qielli mbi Prekaz do të nxihej për tre ditë rresht nga tymi i pa numër i predhave të hedhura mbi luftëtarët e lirisë dhe mbi shtëpitë e Prekazit. Qëndresa e armatosur tre ditore dhe lufta heroike e familjes Jashari në Prekaz, do tu jepte atyre tre ditëve epitetin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Që nga atëherë para 26 viteve dhe deri sot, rezistenca dhe lufta e Jasharëve të Prekazit, është kthyer në burim frymëzimi për të gjithë luftëtarët e UÇK-së në luftën e tyre për liri, duke u trashëguar deri te ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës, në misionin e tyre për ta ruajtur këtë liri. 26 vjet përpjekje për ta kultivuar luftën e drejtë për liri dhe për ta frymëzuar me të luftën për shtetndërtim. 26 vjet Epope e UÇK-së: 26 vjet lavdi!

(Kosova Sot Online)