Ja kush thotë: Mbështetja për Kosovën nuk lëkundet

  • A.P /
  • 05 March 2024 - 18:06
Ja kush thotë: Mbështetja për Kosovën nuk lëkundet

Ndihmës Administratorja e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), Erin E. McKee tha se përkushtimi i USAID-it ndaj popullit të Kosovës do të mbetet i palëkundur, pavarësisht që mund të ketë raste të mosmarrëveshjes me “qeveri specifike”, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

“Edhe pse mund të përballemi me mosmarrëveshje apo sfida me qeveri specifike, përkushtimi ynë ndaj popullit të Kosovës mbetet i palëkundur dhe i qëndrueshëm”, u shpreh McKee.

Në një konferencë të përbashkët për media me presidenten Vjosa Osmani, ajo tha se është e kënaqur me progresin e Kosovës dhe se vendi po bën përparim të madh në krijimin e mundësive ekonomike për të gjitha komunitetet, veçanërisht për gratë dhe sipërmarrësit e nga pakicat.

“Kosova po bën përparim të madh në krijimin e mundësive ekonomike për të gjitha komunitetet, veçanërisht për gratë dhe sipërmarrësit e nga pakicat. USAID-i është i përkushtuar në ndërtimin e aftësive të nevojshme për të shfrytëzuar frymën e tyre sipërmarrëse për t’u bërë lider në sektorin privat të Kosovës dhe për të çuar përpara potencialin për të zhbllokuar atë prosperitet që ne e dimë që Kosova duhet t’i ofrojë jo vetëm vetë Kosovës, por gjithë rajonit, dhe sinqerisht, mbarë Evropës. Isha gjithashtu e kënaqur që takova gratë lidere kosovare dhe festova Ditën Ndërkombëtare të Gruas disa ditë më herët, dhe Muajin e historisë së grave, mbrëmë në një tubim që u organizua nga ambasadori Hovenier dhe këto gra të mrekullueshme, nëpunëse civile, avokate dhe gjyqtare, përfaqësuese të sektorit privat, ligjvënëse, inxhiniere, përveçse nëna dhe bashkëshorte janë vërtet të shquara në punën e tyre të palodhshme për të bërë një ndikim pozitiv në sektorët e tyre dhe në vendin e tyre. Ishte vërtet frymëzuese. Këtë vit, siç përmendi presidentja, USAID-i do të shënojë 25 vjetorin e partneritetit tonë me popullin e Kosovës. Rrugëtimi zhvillimor i Kosovës ka qenë disi i jashtëzakonshëm”, tha McKee.

Ajo nuk la përmendur edhe dialogun Kosovë-Serbi për të cilin tha se është rruga e vetme përpara për integrim në strukturat euroatlantike dhe se mbështetja e USAID-it do të mbetet e palëkundur për Kosovën.

“E ardhmja e Kosovës është brenda Evropës. Sekretari Blinken kohët e fundit përsëriti se dialogu i lehtësuar nga BE-ja është i drejtë dhe rruga e vetme përpara për Kosovën për të avancuar integrimin e saj me institucionet evropiane dhe euroatlantike. Siç kemi bërë në 25 vitet e fundit, USAID-i do të qëndrojë i palëkundur në partneritet me Kosovën për të siguruar që momenti drejt kësaj të ardhme të mos lëkundet, por të përshpejtohet dhe përfundimisht të vazhdojë”, tha ajo.

Presidentja Osmani, nga ana e saj, ka vlerësuar kontributin e USAID-it në arritjen e sukseseve të Kosovës përgjatë dy dekadave të fundit.

Ajo tha se bashkëpunimi me USAID-in është shembull konkret i përkushtimit të Shteteve të Bashkuara dhe të popullit amerikan ndaj vendit dhe se një Kosovë më e zhvilluar dhe e fortë është synimi i përbashkët.

Duke folur në lidhje me investimet e USAID-it, e para e shtetit tha se në vendin tonë USAID ka investuar mbi 1 miliardë dollarë, e që së bashku me projektet e tjera të qeverisë amerikane investimet arrijnë deri në dy miliardë dollarë, raporton Kosovapress.

Ndërkaq, duke folur për sukseset e Kosovës gjatë 16 viteve si shtet i pavarur, Osmani tha se Republika jonë është ndër reformatorët më të mirë në indekset globale për sundimin e ligjit dhe të ruajtjen e demokracisë.

Ajo gjithashtu shtoi se po punohet se këto suksese të përkthehen edhe në përfitime ekonomike për Kosovën.


(Kosova Sot Online)