Hoti: Tri vite dialog pa asnjë transparencë ndaj Kuvendit dhe qytetarëve

  • A.P /
  • 05 March 2024 - 21:52
Hoti: Tri vite dialog pa asnjë transparencë ndaj Kuvendit dhe qytetarëve

Deputeti i Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka reaguar pas intervistës me të Dërguarin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Hoti ka thënë se kjo intervistë tregon se ku është katandisur Kosova, teksa sipas tij, tash e tri vite nën qeverisjen e Albin Kurti, nuk ka transparencë në procesin e dialogut.

Ai më tej ngre alarmin se marrëveshja e arritur në Bruksel vitin e shkuar dhe aneksi i zbatimit në Ohër, nuk sigurojnë njohje reciproke.

“Lexojeni intervistën e ndërmjetësit të BE-së për dialog në Nacionale.com dhe do ta kuptoni ku është katandisur Kosova. Tri vite dialog pa asnjë transparencë ndaj Kuvendit dhe qytetarëve. Marrëveshja e Brukselit/Ohrit, jo që nuk siguron njohje reciproke, por e kushtëzon progresin euro-integrues të Kosovës dhe njohjet e anëtarësimet e saj në organizata ndërkombëtare me themelimin e asociacionit”, shkroi Hoti.

Deputeti i LDK-së ka thënë se është e pakuptueshme heqja dorë nga dialogu pë rmarrëveshje finale.

“Është e pakuptueshme pse është hequr dorë nga DIALOGU PËR MARRËVESHJE FINALE, LIGJËRISHT E OBLIGUESHME, PËR NJOHJE RECIPROKE DHE NORMALIZIM TË MARRËDHËNIEVE, KU NUK PRANOHET ASGJË PA U DAKORDUA PËR TË GJITHA, për të cilin format të dialogut ka pasur dakordim me aleatët kryesorë në qeverinë paraprake”, shkroi më tej Hoti.

(Kosova Sot Online)