Rusia sulmon Odesën ndërsa kryeministri grek vizitonte qytetin

  • A.P /
  • 06 March 2024 - 20:18
Rusia sulmon Odesën ndërsa kryeministri grek vizitonte qytetin

Shpërthime të fuqishme u dëgjuan sot në qytetin jugor të Ukrainës, Odesa, gjatë një vizite nga presidenti Volodymyr Zelensky dhe kryeministri grek Kyriakos Micotaqis, thanë ata në një konferencë të përbashkët shtypi.

Greqia e ka kritikuar ashpër agresionin e Rusisë dhe i ka ofruar Kievit ndihma humanitare dhe armë, duke përfshirë automjete luftarake dhe municione

"Dëgjuam zhurmën e sirenave dhe shpërthimeve që ndodhën pranë nesh. Nuk patëm kohë të shkonim në një vend të sigurt strehimi", tha kryeministri grek Micotaqis.

“Është një përvojë shumë e rëndë... është vërtet ndryshe të lexosh për luftën në gazeta se sa ta dëgjosh me veshët e tu dhe ta shohësh atë me sytë e tu”, shtoi ai.

Presidenti ukrainas Zelensky tha se sulmi kishte shkaktuar viktima, por nuk dha hollësi mbi numrin e të vdekurve dhe të plagosurve.

"Mund ta shihni vetë se me çfarë po përballemi. Ata nuk e vrasin mendjen se ku sulmojnë", tha zoti Zelensky në një konferencë të përbashkët.

Kryeministri grek Micotaqis dhe presidenti Zelensky po vizitonin qytetin port jugor të Odesës, i cili ka qenë në shënjestër të sulmeve të reja të Rusisë pas tërheqjes së Moskës nga një marrëveshje, që mbronte eksportet e Ukrainës nëpërmjet Detit të Zi në verën e vitit 2023.

Gjatë vizitës, presidenti Zelensky shpjegoi "rëndësinë e portit dhe atë që po bëhet për të rivendosur dhe forcuar rrugët detare të Ukrainës", tha kryeministri Micotaqis.

Pas tërheqjes së Rusisë nga marrëveshja e grurit, Ukraina krijoi një korridor të mbrojtur detar për të vazhduar eksportet përmes Detit të Zi.

Ministri i Infrastrukturës së Ukrainës, Oleksandr Kubrakov tha javën e kaluar se Ukraina kishte eksportuar më shumë drithë përmes porteve të Odesës në shkurt se në çdo muaj tjetër që nga fillimi i agresionit rus.

(Kosova Sot Online)