Sveçla: Po punojmë që secila grua të jetoj e veproj e sigurt në vendin tonë

  • E.K /
  • 08 March 2024 - 15:24
Sveçla: Po punojmë që secila grua të jetoj e veproj e sigurt në vendin tonë

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në Ditën Ndërkombëtare të Gruas tha se si Ministri po punojnë që secila grua të jetojë e veprojë e sigurtë në vend, përcjell “Kosova Sot Online”.

Kurse, për vrasjet ndaj grave zotohet se do t’i mbajnë përgjegjës autorët.

Tutje, Sveçla tha se synimi i punës së tyre mbetet të ngrisin të gjithë mekanizmat që të garantojnë pjesëmarrje të grave dhe vajzave brenda sektorit publik.

Ministri i Brendshëm ka theksuar se sektorit të sigurisë i nevojiten edhe më shumë gra dhe vajza dhe kjo përbën prioritet për ta.

Postimi i plotë:

8 Marsi është data që na e përkujton përpjekjen e pareshtur për barazi e drejtësi. 8 Marsi është thirrje për bashkëveprim të pandalshëm që çdo vajzë e çdo grua të jetojë me dinjtet, e barabartë, e sigurtë dhe e mbrojtur.

Rezistenca dhe kontributi i vajzave dhe grave në historinë e popullit tonë mbetet shembulli më i mirë që secili prej nesh kemi para vetes.

Si Ministri e Punëve të Brendshme, jo vetëm sot por çdo ditë, po punojmë që secila grua të jetojë e veprojë e sigurtë në vendin tonë ashtu që edhe secili vrasës mizor i vajzave e grave të sillet me shpejtësi para drejtësisë e të marrë dënimin e merituar.

Duke njohur pabarazinë që ka rënduar ndër vite ndaj vajzave dhe grave në punësim, synim i punës sonë mbetet të ngrisim të gjithë mekanizmat që të garantojmë pjesëmarrje të grave dhe vajzave brenda sektorit publik.

Sektorit të sigurisë i nevojiten edhe më shumë gra dhe vajza dhe kjo përbën prioritetin tonë. Vajzat dhe gratë që janë çdo ditë në uniformë kanë dëshmuar se shërbimi për qytetarët e për Republikën nuk ka gjini.

Në këtë ditë të shënuar të 8 Marsit, shpreh mirënjohjen time të thellë për secilën vajzë e secilën grua që ka thyer çdo barrierë para saj. Para vetes kemi shumë sfida të cilat bashkëpunimi e bashkëveprimi si institucione e si shoqëri i tejkalon.

Gëzuar sot dhe çdo ditë, nuk do të reshtim së punuari për barazi e drejtësi, mirëqenie e siguri.

(Kosova Sot Online)