Raportuesi i PE tregon kur do të ketë votim për heqjen e vizave për serbët e Kosovës

  • A.P /
  • 08 March 2024 - 17:00
Raportuesi i PE tregon kur do të ketë votim për heqjen e vizave për serbët e Kosovës

Raportuesi i Parlamentit Evropian për çështjen e heqjes së regjimit të vizave edhe për serbët e Kosovës të cilët janë të pajisur me pasaporta “koordinacija”, Matjaz Nemec, ka folur për atë se ku gjendet procesi dhe çfarë pritet të ndodh ditëve në vijim, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Sipas Nemec, pritet që kjo çështje të marr epilog shpejt për shkak të kohës tepër të limituar si rezultat i zgjedhjeve në Bashkim Evropian që do të mbahen më 9 qershor.

Ai ka thënë se ka vullnet për miratimin e propozimit për heqje të vizave, megjithatë potencon se kjo varet edhe nga pozicioni i grupeve të tjera në Parlamentin Evropian.

Raporti fillimisht duhet të diskutohet brenda në Parlamentin Evropian më 12 mars, afati i fundit për paraqitjen e amendamenteve është 15 mars, ndërsa Komisioni i Parlamentit Evropian për Liritë Civile, Drejtësinë dhe Çështjet e Brendshme do të votojë më 8 Prill.

“Ne morëm mbështetjen e të gjitha grupeve për ta bërë këtë në një periudhë jashtëzakonisht të shkurtër dhe me shpejtësi të madhe, në mënyrë që të miratojmë propozimin në seancën e fundit të prillit. Shpresoj që në fund të prillit të marrim mbështetjen e nevojshme në Strasburg”, ka thënë Nemec.

(Kosova Sot Online)