Berisha: A ka gjë më dramatike se sa ngrirja e pensioneve për 10 vite?

  • A.P /
  • 10 March 2024 - 17:04
Berisha: A ka gjë më dramatike se sa ngrirja e pensioneve për 10 vite?

Për kryetarin e Partisë Demokratike, Sali Berisha nuk ka gjë më dramatike se të lesh për 10 vite pa rritur pensionet dhe të rritësh me 100 % rrogat e zyrtarëve, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Deklaratën e tij, Berisha e bëri gjatë fjalës në tubimin qytetar.

Pjesë nga fjala e kreut të PD-së, Sali Berisha:

Krahas aleancës me krimin, e cila është e gjithëpushtetshme mbi jetën e qytetarëve, e gjithëpushtetshme mbi jetën e bizneseve, e gjithëpushtetshme në jetën e vendit, organizata kriminale qeveri me në krye Edi Ramën po përdor tiraninë e varfërisë kundër jush, kundër qytetarëve të thjeshtë.

Të dashur miq, parafolës këtu theksuan çështjen e rrogave dhe të pensioneve.

A ka gjë më dramatike se sa ngrirja e pensioneve për 10 vite me radhë, në një kohë kur çmimet jo gjatë 10 viteve, por vetëm 4 vitet e fundit, janë rritur me 40 përqind.

Pensionet e 670 mijë burrave dhe grave, që kanë shkrirë jetën e tyre për një Shqipëri tjetër, kanë mbetur aty ku ishin.

A nuk është kjo një qëndrim çnjerëzor, një përçmim ekstrem ndaj këtyre burrave dhe grave si qenie njerëzor, ndaj dinjitetit të tyre?

A nuk është kjo një grabitje e tmerrshme në kurriz të tyre?

Por çfarë ndodhi, cila është arsyeja që të ngrihen pensionet, që të ketë zero rritje pensione për 10 vite?

Për ç’motiv, ku e bazon Edi Rama këtë pashpirtësi ekstreme?

Mungojnë paratë? Jo, absolutisht. Jo dhe jo.

Në vitet 2005-2013, pensionet e ulëta u dyfishuan. Pensionet e tjera u rritën me 80 përqind, ndërkohë me fonde publike u ndërtuan dhe u rindërtuan 11 mijë kilometra rrugë, u ndërtuan dhe rindërtuan 1300 shkolla, u dyfishuan rrogat e punonjësve.

Atëherë çfarë ndodh, në një kohë kur taksat ky regjim i dyfishoi, ku shkojnë këto para?

Këto para vidhen dhe vetëm vidhen.

Prandaj të dashur pensionistë, mendoni njëherë për veten tuaj.

Pavarësisht nga botëkuptimi që mund të kemi, por t’u lësh ju sot me zero rritje pensioni dhe të rrisësh 100 përqind rrogat e ministrave, deputetëve, zyrtarëve të lartë, a nuk është kjo një krim i shëmtuar, a nuk është kjo t’u përcjellin ju sa më parë nga kjo botë për mungesë ilaçesh dhe ushqimi.

(Kosova Sot Online)