Djegia e fabrikës, Lladrovci: Kjo është katastrofë materiale, zjarri ka përparuar shumë shpejtë

  • E.K /
  • 11 March 2024 - 15:27
Djegia e fabrikës, Lladrovci: Kjo është katastrofë materiale, zjarri ka përparuar shumë shpejtë

Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka njoftuar se ka ngritur shtabin emergjent pas shpërthimit të zjarrit që ndodhi sot në një fabrikë në afërsi të “Parkut të Biznesit”, përcjell “Kosova Sot Online”.

Lladrovci ka treguar se ka ftuar për ndihmë edhe kolegët e nivelit lokal, edhe të nivelit qendror, për shuarjen e zjarrit.

I pari i Drenasit ka shtuar se zjarri ka përparuar shumë shpejtë sepse ka erë e cila po e ndihmon përhapjen e flakëve dhe lënda e parë që po digjet.

Lladrovci ka falënderuar zjarrfikësit, Policinë e Kosovës, inspektoratet dhe të gjithë të tjerët që po ndihmojnë në shuarjen e zjarrit.

Postimi i plotë:

Pas shpërthimit të zjarrit në Fabrikën e Plastikës, në Qendrën e Biznesit Drenasi i, kam aktivizuar Shtabin emergjent të komunës së Drenasit, në krye të të cilit jam unë.

Kjo është katastrofë materiale dhe ekologjike, kam ftuar për ndihmë edhe kolegët e nivelit lokal, edhe të nivelit qendror, për shuarjen e zjarrit.

Falënderoj zjarrfikësit, Policinë e Kosovës, inspektoratet dhe të gjithë të tjerët që po ndihmojnë në shuarjen e zjarrit. Rreth objektit që po digjet janë në gatishmëri ekipet e zjarrfikësve për të mos lejuar përhapjen e zjarrit në fabrikat tjera.

Në përkrahje të zjarrfikësve të Drenasit, kanë arritur edhe njësitë tjera zjarrëfikëse nga Malisheva, Skenderaji, Lipjani e Prishtina dhe i falënderoj për shpejtësinë e reagimit.

Zjarri ka përparuar shumë shpejtë sepse ka erë e cila po e ndihmon përhapjen e flakëve dhe lënda e parë që po digjet.

Kam shprehur keqardhje për pronarët e fabrikës, për dëmet në fabrikë, pajisje, objektet, si dhe materialit riprodhues.

Tymi i madh nga djegia e fabrikës ka arritur në vendbanimet e fshatrat e Drenasit, Skenderajt e deri në Mitrovicë, dhe është po ashtu katastrofë ambientale me ç'rast qytetarët kanë ankesa për ndotjen dhe dëmet që po ju shkaktohen.

(Kosova Sot Online)