Stano: Në dialogun Kosovë-Serbi nuk është bërë sa duhet për zbatimin e obligimeve të marra

  • A.P /
  • 11 March 2024 - 15:46
Stano: Në dialogun Kosovë-Serbi nuk është bërë sa duhet për zbatimin e obligimeve të marra

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, theksoi se në dialogun Kosovë-Serbi nuk është bërë sa duhet për zbatimin e obligimeve të marra, duke shtuar se prioritet i BE-së është që të dyja palët të fillojnë zbatimin e marrëveshjeve me mirëbesim, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Stano ka theksuar se BE-ja asnjëherë nuk përgatit agjendë paraprakisht për takimet e ardhshme në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, qofshin ato në nivel të mesëm apo të lartë.

“Ajo që mund të them është, për fat të keq, nuk është bërë mjaftueshëm për zbatimin e marrëveshjeve të dakorduara midis Kosovës dhe Serbisë. Prioriteti kryesor i BE-së është që palët të fillojnë të zbatojnë detyrimet që kanë marrë dhe atë në mirëbesim”, tha Stano.

Ai theksoi se është me rëndësi vendimtare që palët të fokusohen sa më shpejt dhe të fillojnë me zbatimin, gjë që siç thotë ai, BE-ja e ka përsëritur disa herë.

Ai thekson se procesi i dialogut ka hapa dhe procedura individuale dhe se ato nuk mund të komentohen individualisht çdo ditë në publik.

Stano gjithashtu thekson se nuk i takon BE-së të komentojë për çdo takim që njerëzit në administratën serbe kanë me njerëz të ndryshëm.


(Kosova Sot Online)