Bottcher: Moszbatimi i aktvendimit të Gjykatës në rastin e Deçanit shkelje e qartë e sundimit të ligjit

  • A.P /
  • 11 March 2024 - 17:20
Bottcher: Moszbatimi i aktvendimit të Gjykatës në rastin e Deçanit shkelje e qartë e sundimit të ligjit

Avancimi i dosjes së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës varet jashtëzakonisht shumë nga epilogu që do të marrë çështja e implementimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për kontestin pronësor në mes të Komunës së Deçanit dhe Manastirit. Kështu kanë konfirmuar në një përgjigje nga Ambasada Gjermane në Prishtinë, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Zëdhënësi i Ambasadës së Gjermanisë në Prishtinë, Christian Bottcher, ka thënë se zbatimi i shpejt i aktgjykimit të Kushtetueses përmes çdo lloj urdhri apo institucioni është jetik jo vetëm për interesin e Kosovës lidhur me aplikimin për anëtarësim në Këshill të Evropës por edhe lidhur me integritetin e Gjykatës Kushtetuese.

Bottcher ka thënë se zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për kontestin pronës mes Komunës së Deçanit dhe Manastirit të Deçanit mund të jetë vetëm një parakush i vështirë për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Prandaj, zbatimi i shpejtë i aktgjykimit përmes çdo lloj urdhri apo institucioni është imperativ jo vetëm në interesin e Kosovës në lidhje me aplikimin e saj për anëtarësim, por edhe në lidhje me integritetin e gjykatës së saj kushtetuese. Ky zbatim mund të jetë vetëm një parakusht i vështirë për anëtarësimin e Kosovës”, ka thënë Bottcher.

Ai ka rikujtuar se Gjermnia dhe partnerët e tjerë ndërkombnëtarë të Kosovës kanë kërkuar disa herë radhazi implementimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.

“Kjo kërkesë për respektimin e vetë Kushtetutës së Kosovës duke zbatuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese është ngritur herë pas here nga Gjermania dhe shumë miq dhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë”, ka thënë ai.

Zëdhënësi i Ambasadës Gjermane ka përmendur  edhe raportin e juristëve të Këshillit të Evropës  të cilët e kanë kualifikuar si “shkelje të qartë të sundimit të ligjit”, mos zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pronat dhe ku kanë kërkuar implementim pa vonesa.

“Moszbatimi i aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese në rastin e Deçanit “është shkelje e qartë e sundimit të ligjit”, siç thuhet në raportin e Juristëve të shquar për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, të datës 27 nëntor 2023. .Në paragrafët përmbyllës të raportit në fjalë, zbatimi i aktgjykimit “pa vonesa të mëtejshme” është renditur si pika e parë për përmirësimin e gjendjes së sundimit të ligjit në Kosovë”, ka thënë Christian Bottcher.

Gazeta Express ka raportuar në vazhdimësi përgjatë këtyre ditëve për çështjen e pronave në Deçan dhe ka marrë vesh nga burimet e saj që tashmë Qeveria e Kosovës në krye me Kurtin ka pranuar zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, duke e bartë kështu përgjegjësinë tek autoritetet lokale në Deçan.

Kreu i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, në një përgjigje të shkurtër për media ditë më parë lidhur me këtë çështje, ka thënë se qëndrimet e tij janë të njohura.

Deri më tani si në nivelin qëndror po ashtu edhe në atë lokal nuk ka pasur vullnet për implementimin e vendimit të GJykatës Kushtetuese për t’ia regjistruar Manastirit të Deçani 24 hektarë tokë dhe pyll, meqë konsiderojnë se kjo tokë u takon ndërmarrjëve shoqërore “Apiko” dhe “Iliria” dhe se s’kanë qenë kurrë të Manastirit.

(Kosova Sot Online)