Von der Leyen bën thirrje për ‘pauzë humanitare’

  • A.P /
  • 12 March 2024 - 14:37
Von der Leyen bën thirrje për ‘pauzë humanitare’

Duke folur në Parlamentin Europian këtë mëngjes, presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, tha se “popullit të Gazës i duhet një pauzë e menjëhershme humanitare që do të çonte në një armëpushim të qëndrueshëm – dhe ata kanë nevojë për këtë tani”, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Ajo gjithashtu tregoi përpjekjet e BE-së për të rritur ndihmën humanitare.

“Ndërsa flasim, një anije po niset nga Qipro për në Gazën veriore. Ajo mbart gjërat më elementare të ndihmës humanitare”, tha ajo, duke shtuar se “ky korridor detar është rezultat i bashkëpunimit të paprecedentë ndërkombëtar”.

Von der Leyen theksoi se “situata në terren është më dramatike se kurrë dhe ka arritur një pikë kthese”.

“Të gjithë kemi parë raporte për fëmijë që vdesin nga uria. Kjo nuk mund të ndodhë dhe ne duhet të bëjmë të pamundurën për ta ndaluar atë”.

Von der Leyen njoftoi gjithashtu se mekanizmi i mbrojtjes civile të BE-së është aktivizuar për të forcuar mbështetjen, raporton The Guardian, transmeton Gazeta Express.

“Ne do të vazhdojmë me pagesën e 50 milionë eurove në mbështetje të UNRËA dhe këstet e ardhshme do të lëshohen sapo agjencia të marrë hapat e tjerë që kemi rënë dakord së bashku. E gjithë kjo me një qëllim të thjeshtë: që çdo euro që investojmë të shpenzohet sipas rregullave tona dhe të arrijë tek palestinezët në nevojë”.

“Natyrisht, Izraeli ka të drejtë të mbrohet dhe të luftojë kundër Hamasit. Por mbrojtja e civilëve duhet të sigurohet në çdo kohë në përputhje me ligjin ndërkombëtar. Dhe tani ka vetëm një mënyrë për të rivendosur një fluks adekuat të ndihmës humanitare. Populli i Gazës ka nevojë për një pauzë të menjëhershme humanitare që do të çonte në një armëpushim të qëndrueshëm – dhe ata kanë nevojë për të tani”.

(Kosova Sot Online)