"Heshtja ndërkombëtare për rastin e djegies së pronës së nënkryetares së Zveçanit sa shkon e bëhet më shurdhuese"

  • E.K /
  • 13 March 2024 - 12:02

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në fjalën e tij në mbledhje të Qeverisë së Kosovës ka folur për rastin e djegies se dyqanit të nënkryetares së Zveçanit, Natasha Tomaniq. Kurti ka thënë se bazuar në prova, zjarrvënia ka qenë e qëllimshme dhe sipas tij ky akt ka për qëllim frikësimin e serbëve lokalë që duan integrim në institucionet e Kosovës.

 Kurti tutje ka kritikuar faktorin ndërkombëtar në vend, duke thënë se heshtja e tyre dhe mos reagimi për këtë rast edhe përkundër që kanë kaluar 5 ditë nga ngjarja, vetëm shkon duke u bërë edhe më shurdhuese. Sipas Kurtit kjo heshtje është dekurjaim për viktimën dhe inkurajim për agresorin.

“Natasha Tomaniq 8 marsin e nisi me lajmin se pronës së saj i është vënë zjarri. Provat flasin për zjarrvënie të qëllimshme. Dëmi llogaritet të jetë 40 mijë euro. Qëllimi nuk ishte financiar. Frikësimi dhe terrori ishin synimet dhe për serbët në veri të vendit, që duan integrim në institucionet e Kosovës.

Pavarësisht se bëhet fjalë për një grua nga komuniteti serb në Kosovë që bartë pozitë zyrtare, në institucionet publike, heshtja e komunitetit ndërkombëtar, edhe pesë ditë pas sulmit, sa vjen e bëhet edhe më shurdhuese.

Një heshtje e tillë është sa dekurarjuese aq edhe inkurajuese> Dekurajuese për viktimën, inkurajuese për agresorin. Sulmi ndaj Tomaniq nuk ndodhi në vakum, njejtë siç pamjet e kriminelit Radojicic duke terrorizuar serbët e Kosovës dhe më pas takimin me ambasadorin e Serbisë në SHBA nuk ndodhen në vakum”, ka thënë Kurti.

(Kosova Sot Online)