Detaje nga takimi i Escobarit me liderët e opozitës

  • A.P /
  • 13 March 2024 - 21:41
Detaje nga takimi i Escobarit me liderët e opozitës

Pas takimit me emisarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka folur kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Në takim kanë marrë pjesë edhe dy liderët  e tjerë opozitarë, Lumir Abdixhiku nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), dhe Ramush Haradinaj, kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

Në takimin që është zhvilluar të mërkurën në rezidencën e ambasadorit amerikan në Kosovë Jeffrey Hovenier, sipas Krasniqit ëshë folur për zhvillimet aktuale në vend.

Krasniqi përmes një postimi në Facebook, pas takimit ka thënë se kanë folur për vizionin e së ardhmes për popullin dhe shtetin e Kosovës.

”Komunikimi me aleatët strategjikë, është jo vetëm i mirëseardhur dhe i frytshëm, por edhe i domosdoshëm për t’i avancuar interesat e Kosovës.  Nisur nga ky qëllim, sonte, në rezidencën e ambasadorit Hovenier zhvilluam një darkë pune me të dërguarin e  SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar”.

“Bashkë shkëmbyem qëndrimet për zhvillimet aktuale politike në vend dhe vizionin për një të ardhme më prosperuese për popullin dhe shtetin tonë. Kosova, çdo fitore dhe çdo sukses në rrugën e çlirimit, pavarësisë dhe shtetndërtimit e ka arritur me SHBA-të, prandaj, partneriteti ynë është i paalternativë edhe në rrugën e së ardhmes drejt integrimit euro-atlantik”, ka thënë Krasniqi. 

(Kosova Sot Online)