Stano: BE nuk do t’i njohë zgjedhjet ruse në territoret e pushtuara të Ukrainës

  • A.P /
  • 14 March 2024 - 21:38
Stano: BE nuk do t’i njohë zgjedhjet ruse në territoret e pushtuara të Ukrainës

BE-ja nuk do t’i njohë zgjedhjet ruse në “territoret e pushtuara përkohësisht të Ukrainës, tha përfaqësuesi i Komisionit Evropian, përgjegjës për çështjet e politikës së jashtme, Peter Stano, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

I pyetur për të komentuar zgjedhjet e ardhshme presidenciale në Rusi më 15-17 mars , Peter Stano u përgjigj se “është shumë e vështirë të parashikohet se do të jenë zgjedhje të lira, të drejta dhe demokratike ku populli rus do të ketë në të vërtetë mundësi të zgjedhë.”

Ai gjithashtu vuri në dukje shtypjen e vazhdueshme të Kremlinit ndaj kundërshtarëve politikë që burgosen, ndiqen penalisht ose helmohen në burg, si dhe shtypjen e zërave kritikë, mediave të pavarura dhe shoqërisë civile në përgjithësi.

Sipas përfaqësuesit të Komisionit, vendimi për njohjen ose jo të zgjedhjeve presidenciale ruse do të shqyrtohet veçmas nga shtetet anëtare, pasi të kenë parë të gjithë procesin.

Ai theksoi megjithatë se Rusia po përgatitet të mbajë zgjedhje, “në mënyrë të paligjshme dhe në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, në territoret e okupuara përkohësisht të Ukrainës dhe kjo nuk do të njihet nga BE”.

Nga ana e tij, Parlamenti Evropian ka njoftuar se nuk do të monitorojë zgjedhjet presidenciale në Rusi, ndaj nuk do të komentojë as procesin dhe as rezultatet.

Kjo u bë e ditur nga bashkëkryetarët e Grupit për Mbështetjen e Demokracisë dhe Koordinimin e Zgjedhjeve të Parlamentit Evropian, eurodeputeti gjerman i EPP-së, David McAllister dhe eurodeputeti suedez i EPP-së, Thomas Tobe.

Ukraina i bën thirrje komunitetit ndërkombëtar të mos njohë rezultatet në territoret e pushtuara

Ministria e Jashtme e Kievit tha se fushata zgjedhore në rajonet e Donetsk, Luhansk, Zaporizhia dhe Kherson , të cilat kontrollohen pjesërisht nga Rusia, si dhe në Krime, e cila u aneksua nga Rusia në vitin 2014, demonstron edhe një herë “mospërfilljen e vazhdueshme të hapur të Moskës për rregullat dhe parimet e së drejtës ndërkombëtare” .

Ai shton në një deklaratë: “Detyrimi i miliona qytetarëve ukrainas që jetojnë në territoret e pushtuara përkohësisht ose që janë transferuar me forcë në territorin e Federatës Ruse për të marrë pjesë në të ashtuquajturat “zgjedhje” është po aq i paligjshëm”.

Ministria u bëri thirrje ukrainasve që mbeten në territoret e pushtuara që të mos marrin pjesë në votim.

Nga ana e tij, Ministri rus i Zhvillimit Dixhital tha, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve TASS, se Rusia pret sulme hakerësh në shkallë të gjerë në infrastrukturën e sistemit të votimit gjatë zgjedhjeve presidenciale që do të mbahen nga 15 deri më 17 mars.


(Kosova Sot Online)