Ja kur zhvillohet rundi i ri i dialogut mes kryenegociatorëve

  • A.P /
  • 14 March 2024 - 20:38
Ja kur zhvillohet rundi i ri i dialogut mes kryenegociatorëve

Një takim i ri dialogut për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë në nivel të kryenegociatorëve do të zhvillohet të martën, më 19 mars, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Këtë e bëri të ditur Emisari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar pas takimit që pati me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Escobar tha se vendimi i Bankës Qendrore për dinarin ka shkaktuar vështirësi për disa qytetarë të vendit.

“Shpresoj që Qeveria e Kosovës të jetë fleksibile në diskutimet në dialog të martën, sa i përket rregullores së BQK-së”, tha Escobar, duke shtuar se vendimi i BQK-së ua ka vështirësi jetën qytetarëve serbë të Kosovës dhe se SHBA-ja është e shqetësuar.

“Duhet të pranojë se marrëdhëniet tona kanë disa sfida tash, e këto sfida janë për shkak të trajtimit të minoritetit serb në Kosovë. Është çështje emergjente humanitare që duhet adresuar menjëherë. Shpresoj që Qeveria është pajtuar të jetë fleksibile në këto diskutime në dialog të martën. Në ndërkohë e kam përgëzuar kryeministrin për vendimin që ka marrë për Deçanin. Ishte vendim i vështirë, por i duhur”, ka thënë Escobar.

Kryenegociator i Kosovës është Besnik Bislimi, ndërkaq ai i Serbisë është Petar Petkoviq.

Për çështjen e dinarit, Kosova dhe Serbia kanë diskutuar në Bruksel në fund të shkurtit. Por, në atë takim, ku Kosova u përfaqësua nga guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili, nuk pati ndonjë rezultat.

Më 1 shkurt ka hyrë në fuqi një rregullore e BQK-së, që parasheh euron si valutën e vetme për pagesa në Kosovë, duke ndaluar përdorimin e dinarit serb.

(Kosova Sot Online)