Renovimi i IML-së pas shpërthimit të zjarrit, MD tregon se ku do të investojnë

  • E.K /
  • 15 March 2024 - 08:59
Renovimi i IML-së pas shpërthimit të zjarrit, MD tregon se ku do të investojnë

Qeveria e Kosovës ka miratuar kërkesën e Ministrisë së Drejtësisë për ndarjen e 520 mijë eurove për financimin shtesë të projektit “Renovimi i kulmit dhe rikonstruktimi i hapësirave të brendshme në objektin e IML-së”, përcjell “Kosova Sot Online”.

Nga Ministria e Drejtësisë njoftojnë se ky buxhet do të shfrytëzohet për renovimin e hapësirave të IML-së që ishin dëmtuar si pasojë e incidentit me zjarrin në nëntor të vitit të kaluar, mirëpo në të njëjtën kohë do të intervenohet në tërë objektin e IML-së duke rritur sigurinë e përgjithshme me qëllim të parandalimit të ngjarjeve të tilla në të ardhmen.

“Ky renovim do të realizohet në bazë të projektit të përgatitur nga departamenti i inxhinieringut në MD, i cili përfshin rekomandimet e dhëna nga Komisioni i Universitetit të Prishtinës për vleresimin e dëmeve dhe rritjen e sigurisë së objektit”, thuhet në njoftimin e bërë nga Ministria e Drejtësisë.

“Pikat kryesore në të cilat do te investohet do të jenë instalimi i sistemit kundër zjarrit, instalimi i sistemit të ri elektrik, vendosja e ventilimit qendror, përmirësimi i kushteve dhe funksionalizimi i sallave të autopsisë, si dhe ridizajnimi i hapësirave të brendshme të punës në përputhje me standardet dhe praktikat më të mira ndërkombëtare”, vijon njoftimi.

(Kosova Sot Online)