Szunyog nga veriu adreson kritika për dinarin

  • A.P /
  • 15 March 2024 - 20:48
Szunyog nga veriu adreson kritika për dinarin

Shefi i Zyrës së BE-së në Prishtinë, Tomas Szunyog, ka vizituar sot Mitrovicën e Veriut, ku ka takuar përfaqësues të Qendrës Klinike Spitalore atje dhe të shkollës “Sveti Sava”, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Në njoftimin e Zyrës së BE-së thuhet se kanë folur për sfidat me të cilat po përballen serbët atje pas Rregullores së re të BQK-së për operacionet me para të gatshme, vendim ky të cilin BE e konsideron si vendim të pakoordinuar dhe që nuk iu komunikua popullatës atje.

Ambasadori Szunyog tha se ky vendim së bashku me çështje të tjera të kahershme kanë prekur seriozisht popullatën serbe të Kosovës dhe komunitetet tjera në mbarë Kosovën dhe pengojnë ofrimin e shërbimeve bazë.

 “Çështje të tilla duhet të adresohen urgjentisht në formatin e Dialogut në interes të popullit,” tha ambasadori Szunyog.

Ai gjithashtu ka vizituar edhe  nënstacionin e Vallaqit dhe selinë e Elektroseverit, e cila ka iniciuar faturimin e konsumit të energjisë elektrike në veri të Kosovës.

 Ai vuri në dukje se ky është një hap i rëndësishëm përpara në procesin e normalizimit dhe iu ka bërë thirrje njerëzve atje që t’i regjistrojnë llogaritë e tyre dhe të paguajnë faturat.

“U bëj thirrje njerëzve që të regjistrojnë llogaritë e tyre dhe të fillojnë të paguajnë faturat e tyre”, theksoi ambasadori Szunyog.

(Kosova Sot Online)