Përgatituni: Nga ky muaj tarifa të reja për energjinë e shpenzuar në Kosovë

  • A.P /
  • 18 March 2024 - 13:50
Përgatituni: Nga ky muaj tarifa të reja për energjinë e shpenzuar në Kosovë

Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike ka njoftuar se pritet të hyjnë në fuqi tarifat e reja për energjinë elektrike në fund të muajit mars ose në fillim të muajit prill, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

ZRrE-ja ka sqaruar se aktualisht është në fazën e analizimit dhe shqyrtimit të komenteve të dërguara nga palët e interesuara.

Pas këtij procesi, do të merret vendimi për të hyrat maksimale.

“Sa i përket pritshmërisë se sa do të jeni të hyrat e lejuara maksimale, deri në këtë fazë ZRRE ka vetëm vlerësimet fillestare të cilat janë të publikuara, ndërsa vlerësimet përfundimtare për të Hyrat e Lejuara Maksimale janë në proces të shqyrtimit dhe pas këtij vlerësimi Raportet përfundimtare do të publikohen”, thuhet nga ana e ZRrE-së, për tv 21-shin.

Për çështjen e kompensimit të qytetarëve pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për faturimin e padrejtë në veri, ZRrE-ja nuk ka specifikuar detaje mbi mënyrën se si do të kryhet ky kompensim, përveç se do të shqyrtojë të gjitha opsionet ligjore në dispozicion.

“Ndërsa sa i përket çështjes për kompensimin e qytetarëve pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për faturimin e padrejtë ndaj qytetarëve për pagesën e rrymës në veri, ZRrE nuk e qartësoi se si do të kompensohen qytetarët përveç se do të shqyrtojë të gjitha opsionet e mundshme ligjore që i ka në dispozicion pavarësisht aktgjykimit kompleks.”, thuhet në përgjigjen e ZRrE-së.

“Qytetarët duhet të kompensohen përmes faturave për rrymën e veriut”

Janë bërë katër ditë që kur Gjykata Kushtetuese vendosi për rastin e 40 milionë eurove që iu faturuan qytetarëve të Kosovës për energjinë e shpenzuar në katër komunat veriore.

Megjithëkëtë, ende vazhdon të mbetet diskutabile mënyra e kthimit të këtyre parave tek kosovarët.

Derisa ZRRE si organ përgjegjës për rregullimin e tarifave ka vazhduar të qëndrojë e heshtur, duke mos dhënë detaje, KEDS-i që shpërndan faturat, shkurt ka kërkuar që për çdo detaj të kontaktohet ZRRE-ja.

(Kosova Sot Online)