Osmani për dinarin: Më e mira do të ishte që nesër në Bruksel të arrihet pajtimi, është urgjente që kjo çështje të zgjidhet

  • E.K /
  • 18 March 2024 - 14:47
Osmani për dinarin: Më e mira do të ishte që nesër në Bruksel të arrihet pajtimi, është urgjente që kjo çështje të zgjidhet

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se ka pajtim për një pjesë të propozimit për çështjen e dinarit, por nuk ka pajtim për një pjesë tjetër të propozimit, përcjell “Kosova Sot Online”.

Osmani tha se më e mira do të ishte që nesër në Bruksel të arrihet pajtim për dinarin.

“Deri tani ka pajtim për një pjesë të propozimit nga ajo që jam informuar deri tani dhe nuk ka pajtim për një pjesë tjetër të propozimit. Pra është shumë pozitive që komuniteti ndërkombëtar në krye me SHBA’të pajtohen që mos të ketë qarkullim të dinarit më në Kosovë dhe me ndihmën e tyre kemi arritur që tash e tutje ato dërgesa, edhe ajo ndihmë financiare që vjen nga Serbia, tash e tutje të arrijë në euro dhe jo në dinarë dhe kjo mendoj që e zgjidh një pjesë të madhe të problemit me të cilin jemi ballafaquar në të kaluarën sepse çështja ka qenë si të zbatohet neni 11 i Kushtetutës që kërkon që në Kosovë të ketë vetëm një valutë dhe ajo është euroja. Me ndihmën e SHBA’së e kemi arritur këtë gjë, ashtu sic kam deklaruar edhe më herët për zbatimin e plotë të Kushtetutës jo vetëm në letër por edhe në praktikë, neve na duhen aleatët në krahë. Tash pjesa e dytë për të cilën akoma nuk ka pajtim, por unë jam shpresëplotë që edhe tek ajo pikë do të arrijmë shumë shpejt është si duhet të sigurohemi që çdo ndihmë financiare që vjen nga Serbia mos të shkojë në duart e personave që kanë abuzuar, që janë korruptuar dhe i kanë marrë paratë kinse në emër të qytetarëve, por i kanë shfrytëzuar për krim të organizuar. Dhe për atë pjesë është duke u hartuar një plan që do t’i involvojë autoritetet e Republikës së Kosovës… Unë jam e bindur që për këtë çështje, jo vetëm që do të arrihet por është e domosdoshme të arrihet pajtim, por më e mira do të ishte të arrihej në Bruksel sepse është nesër takimi, do të ishte e mirëseardhur që ky pajtim të arrihej në Bruksel. Nëse jo në Bruksel, është urgjente që kjo çështje të zgjidhet”, tha Osmani në një konferencë për media në Lipjan.

(Kosova Sot Online)