Vuçiç - ndërkombëtarëve: O me Serbinë, o me Kosovën, zgjidhni!

  • A.P /
  • 18 March 2024 - 22:47
Vuçiç - ndërkombëtarëve: O me Serbinë, o me Kosovën, zgjidhni!

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç është takuar me Patriarkun Profirije dhe presidentin e republika Srpska, Milorad Dodik. Sipas një deklarate, ata kishin një bisedë domethënëse për zhvillimet e fundit në vend dhe rajon.

Kjo vjen pas një ultimatumi që lëshoi në drejtim të Perëndimit, duke i kërkuar që të zgjedhë mes Kosovës dhe Serbisë.

“Nëse ata zgjedhin Kosovën, Serbia do të presë për momentin më të mirë të mundshëm dhe do ta shfrytëzojë mundësinë për të vepruar”, ka thënë presidenti gjatë një eventi.

Për këtë ka reaguar ashpër deputeti i Parlamentit Europian nga Gjermania, Reinhard Bütikofer, që i kërkon dyshes ndërmjetësuese Borrell-Lajçak, por edhe drejtuesve të lartë të BE-së që të reagojnë për të mos lejuar që Vuçiç të mbjellë farat e luftës.

“Duhet të ndryshoni qasjen e BE-së menjëherë”, shkruan ai.

Kjo vjen në të njëjtën ditë kur në Beograd u mbajt dhe vazhdimi i seancës konstituive të parlamentit të ri, ku ashtu si herën e parë, vëmendje të madhe mori Kosova.

Ana Brnabiq, kandidate për kryetare të Kuvendit të Serbisë, tha gjatë seancës se opozita me koalicionin “Serbia Kundër Dhunës”, në vitin 2022 në Vjenë e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

“Ju dëshironi që ta shikoni Albin Kurtin në krye të Serbisë”, nënvizoi kryeministrja në detyrë.

Ndërkohë, Rusia vazhdon që të tentojë të përdorë rastin e Kosovës për të justifikuar veprimet e saj kundër Ukrainës. Përfaqësuesit e Putinit kanë thirrur një seancë të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, për 25 vjetorin e bombardimeve të NATO-s kundër Serbisë, gjë e cila u krye për të parandaluar krimet makabre ndër civilë në Kosovë.

Rusia njoftoi se seanca do të mbahet të hënën e 25 marsit, ndërsa pretendohet se kjo ka nxitur zemërimin e përfaqësuesve të perëndimit.

(Kosova Sot Online)